AktualitetTë fundit

Abuzim me tenderat: Gjykata liron zyrtarët e ministrisë së Drejtësisë

Gjykata e Tiranës liron dy zyrtarët e ministrisë së Drejtësisë të arrestuar pas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe shkelje barazie në pesë tendera të zhvilluara përgjatë viteve 2016-2017. Për drejtorin Ekonomik Aurel Lamçe dhe specialistin e IT Arlind Alikajn është ndryshuar masa e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Gjykata ka vendosur “arrest shtëpie” edhe për Juliana Hoxhën, ish sekretaren e Përgjithshme në MD. Gjithashtu gjykata ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për specialistin tjetër të IT Lusien Ali, i shpallur në kërkim. Për 8 zyrtarë të tjerë, u caktua masa “detyrim paraqitje”.

Sipas prokurorisë hetimet janë shtrirë në 5 tendera si: Mirembajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS ne 7 Gjykatat Administrative, Përmiresimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale, Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirembajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar, Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës, Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik te çështjeve të përmbarimit.

Hetimet kanë zbuluar faktin se përmes shpërdorimit të detyrës, zyrtarët i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh financiar. Në fokusin e prokurorisë ishin funksionarët publikë që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të vlerësimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit te kontratave. Tenderat janë zhvilluara në kohën kur Ministrinë e Drejtësisë e drejtuan Petrit Vasili dhe Ylli Manjani. Prokuroria deklaroi se nëse e sheh të nevojshme do t’i thërrasë në pyetje edhe 2 ish ministrat. Ndërkohë zbatimet e kontratave kanë vijuar edhe në kohën që dikasterin e drejton Etilda Gjonaj.

 

Fraksion.com