AktualitetKosovaTë fundit

Skandal në Kosovë, e mitura përdhunohet nga mësuesi e polici, e më pas aborton

Kosova është tronditur nga historia e përdhunimit të një 16-vjeçareje, të cilën e bën edhe më të rëndë fakti që kalvarin e vajzës e ka thelluar më shumë pikërisht personi që duhej ta ndihmonte.

Nxënësja nga Drenasi ishte abuzuar nga mësuesi i saj dhe kishte shkuar në polici të denonconte ngjarjen. Por, tmerri i saj vetëm sa kishte filluar.

Hetuesi Vesel Veseli kishte marrë deklaratën, e kishte fotografuar të zhveshur dhe pas ekspertizës mjekoligjore e kishte shantazhuar, që ta detyronte të kryente marrëdhënie me të.

Makthi i 16-vjeçares do të vazhdonte për një vit. Vajza mbeti shtatzënë me abuzuesin e saj, i cili e ka detyruar të abortojë në klinikën e një mjeku gjinekolog, Femi Ahmeti, në Prishtinë.

Sot, të tre këta njerëz po paguajnë faturën e veprimeve të tyre. Hetuesi 50-vjeçar u vu në pranga të martën, ndërsa ishte media kosovare “Insajderi” e cila informoi Prokurorinë për rastin e rëndë, duke vënë në lëvizje mekanizmin e drejtësisë.

Vajza, që kishte menduar vetëvrasjen, kishte shkuar për konsultim te një avokat dhe ky i fundit, me anë të një letre anonime, ka informuar “Insajderin” mbi këtë ngjarje të rëndë.

Klinika e mjekut që kreu abortin është bastisur nga forcat e rendit, ndërsa kryetari i Bashkisë së Drenasit sqaroi se edhe mësuesi Shkëlzen Gjekaj është pezulluar.

“Menjëherë, duke respektuar legjislacionin në fuqi, Drejtoria e Arsimit ka pezulluar nga puna mësuesin. Ne si institucion do të ngrejmë padi në hetuesi ndaj tij, ndaj të cilit do të ketë edhe procedurë disiplinore”, tha kryetari i Drenasit.

Nëna e viktimës rrëfeu për “Klan Kosovën” se e dinin për abuzimin e mësuesit, por jo për atë të policit. Abuzimi i të miturës ka shkaktuar një valë të gjerë indinjate në Kosovë, ku për këtë ngjarje janë organizuar këtë të enjte edhe protesta.

 

Fraksion.com