AktualitetPolitikëTë fundit

Sandër Llesaj replikon me Bashën: Mendohu mirë kur të drejtosh gishtin ndaj meje

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj replikon me kryetarin e PD-së Lulzim Basha: Zoti Basha së pari falenderoj që përmes gishtit tregues tju përgjigjem.

Sandër Leshaj: “Zoti Basha, së pari ju falënderoj që më dhatë mundësinë përmes gishtit tuaj tregues që të flas tani, t’ju përgjigjem. E kam parë që gishtin tregues e drejtoni shpesh si njëlloj pistoletë butaforike, por duhet t’ju them që mundohuni mos ta drejtoni kurrë kundër meje. 

Sigurisht, ironia e historisë ka bërë që ju të jeni në atë post që jam unë sot; dhe ironia e historisë bën që ju sot të përdorni një fond pafund me bojë të zezë kundër Shqipërisë. Megjithatë dua t’ju them që përpjekja është e dështuar, është krejtësisht butaforike, nuk mund ta nxini as Shqipërinë, as Ministrinë e Brendshme, sado të përpiqeni me këtë fond të zezë boje. Kurrë nuk do të arrini që të më shihni mua në pozicionin që keni qenë ju në vitin 2011. 


Kurrë nuk do të arrini që prej Ministrisë së Brendshme, të cilën unë drejtoj, të prodhohen viktima në Bulevardin kryesor të Tiranës. Kurrë nuk do të arrini që Shqipëria të marrë atë njollë të zezë që e keni lënë ju, personalisht, në postin e ministrit të Brendshëm. Prandaj sa herë ta drejtoni gishtin butaforik ndaj meje, duhet të mendoni historinë që keni pasur. 


Historia fatkeqësisht na ka vënë në këto pozicione që ne mund t’i tregojmë me shifra kush jemi. Keni 4 të vrarë në CV-në tuaj, keni rreth 100 të plagosur dhe keni rreth 4 mijë të tjerë të mbetur në tentativë për t’u vrarë. 4 mijë plumba të hedhur nga struktura që ju keni drejtuar, ndaj qytetarëve të Tiranës, të cilët vetëm fal mëshirës se Zotit nuk kanë rënë në koka shqiptarësh. Prandaj kur ta drejtoni gishtin mendohuni mirë.

Replikon Lulzim Basha: “Ka një shprehje të njohur për shqiptarët ‘Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin’. Kjo është shprehja dhe ty të duhet pak kohë ti mësosh përmendësh tezat bajate të propagandës së Edi Ramës të cilin duhet ta pyesësh pse i promovoi ata që u akuzuan se shtinë  mbi ata që i sollët për ti vrarë dhe mbi të cilët marshuan drejt pushtetit tuaj korruptiv.

 Por këto janë çështje që socialistët i dinë fare mirë, i dinë socialistët e Fierit, të Burrelit prandaj do të duhet dhe pak kohë ti mësosh përmendësh tezat bajate. Dhe je fatkeq se kur tjerët janë zbythur dhe kanë rënë kokë poshtë duke treguar këto gënjeshtra, ti je i fundit që vjen dhe kujton se po thua gjëra të reja. Tani për sa i përket rekordit tim si Ministër i Brendshëm je dy herë fatkeq sepse kur unë punova dhe ia dola të plotësoja 150 kritere të luftës kundër krimit të organizuar së bashkuar me miq të nderuar, disa prej të cilëve i ke sot në Tiranë në pozicione të shquara dhe arritëm ti plotësonim shqiptarëve një ëndërr, atë të lëvizjes pa viza në zonën Shengen, zotrote bashkë me disa të tjerë e kishit mendjen sesi të krijonit alibitë për Edi Ramës dhe pengesat që ai i vuri Shqipërisë, si askush tjetër por pa sukses, në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. 

Ndërsa se ku e ke katandisur sot Shqipërinë shefi yt, paraardhësit e tu dhe propaganda jote nuk të ndihmon dot. Delja e zezë e Evropës, Kolumbia e Evropës, bazë e krimit të organizuar, vendimi numër 1 për pastrimin e parave të pista të krimit, kriminelët në Parlament dhe në krye të bashkive, ky është rekordi i Ministrisë së Brendshme dhe kësaj qeverie të kapur e të zhytur në krim. Në një pikë biem dakord, s’kemi krahasim.”

 

Fraksion.com