AktualitetTë fundit

Meta pritet nga kongresmeni Engel: Vëmendje për Kosovën!

Presidenti Meta është pritur në Shtetet e Bashkuara nga kongresmeni amerikan Eliot Engel, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme e njëkohësisht një nga emrat që ka kontribuar më shumë në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Kreu i shtetit shqiptar, pasi e ka falënderuar Engelin për rolin e tij të pazëvendësueshëm, ka kërkuar prej tij të ndikojë për një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por në veçanti në sfidat euroatlantike të rajonit.

“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, mësohet të jetë shprehur presidenti Meta.

Duke e falënderuar për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momente historike për kombin, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovë, por edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Meta shprehu besimin se angazhimi i Engelit do të vijojë.

Kongresmeni Eliot Engel, nga ana e tij, ka siguruar presidentin shqiptar për angazhimin e tij për forcimin e arritjeve deri më sot në rajon, falë përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për paqen dhe lirinë.

 

Fraksion.com