Kosnett: Të dënuarit për krime lufte nuk kanë vend në qeverinë e Kosovës
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të mërkurën mbrëma se kriminelët e dënuar të luftës nuk kanë vend në qeverinë e Kosovës, ndërsa u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që të mos mbështesin individët e tillë.
Ai i bëri këto komente përmes një statusi në rrjetin twitter, duke i bërë jehonë një komunikate të organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe Serbi, e cila e dënoi emërimin e ish komandantit të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, në postin e këshilltarit të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ambasadori Kosnett shkroi se “kriminelët e dënuar të luftës nuk kanë vend në qeverinë e Kosovës. Udhëheqësit e të gjitha palëve duhet t’i japin fund mbështetjes së individëve të tillë. Një mbështetje e tillë e vë në dyshim përkushtimin e e Kosovës për sundimin e ligjit. I kënaqur të shoh grupe nga komunitete të ndryshme duke folur më një zë.”, shkroi ai.
Organizatat Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi dënuan vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për emërimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, si këshilltar politik.
Në komunikatën e tyre thuhet se “deri më 25 janar të këtij viti, kur edhe u lirua me kusht, zoti Selimi ishte në burg duke vuajtur dënimin e tij prej 7 (shtatë) vitesh për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999”.
Dy organizatat kanë shprehur shqetësimin siç thuhet edhe për deklaratat e udhëheqësve tjerë të institucioneve të cilët e kanë cilësuar si hero të popullit shqiptar. “Emërime dhe deklarata të tilla për ne janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe si rrjedhojë, të papranueshme. Personat që kanë kryer krime lufte duhet të qëndrojnë larg institucioneve shtetërore që u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Vendimi për emërimin e zotit Selimi si këshilltar politik, tregon për mos seriozitetin dhe mungesën e përkushtimit të qeverisë për drejtësi, pajtim dhe paqe”,thuhet në komunikatë.
Më 25 janar të këtij viti, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi u liria nga burgu. Zoti Selimi i cili njihej me emrin e luftës Sulltani, ishte dënuar në vitin 2015 nën akuzat për keqtrajtim të civilëve gjatë luftës.
Lirimi i zotit Selimi ndodhi në një periudhë kur një numër bashkëluftëtarësh të tij janë ftuar dhe intervistuar nga prokuroria e posaçme për krime lufte me seli në Hagë, e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe pasluftës në Kosovë.
Edhe zoti Selimi, është intervistuar të mërkurën në Prishtinë nga Gjykata e Posaçme për krime lufte.
Fraksion.com