AktualitetPolitikëTë fundit

Gent Cakaj në Uashington: Shqipëria krah aleatëve në mbështetje të paqes

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global për Shkatërrimin e ISIS, organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në Uashington.

Ky Ministerial, i cili zhvillohet prej disa vitesh, shërben si një forum i rëndësishëm në orientimin dhe bashkimin e përpjekjeve globale në luftën për shkatërrimin e plotë të ISIS, si dhe për shpalosjen e nismave, angazhimeve dhe projekteve të reja të Administratës Trump dhe partnerëve në Koalicion, për ndërtimin e paqes dhe të ardhmes post konflikt në Siri dhe Irak.

Administrata amerikane i kushtoi sesionit të këtij viti një vëmendje të veçantë ku pas çeljes së takimit nga Sekretari i Shtetit Pompeo, mori pjesë dhe mbajti një fjalë edhe Presidenti i SHBA-ve Donald Trump.

Ministri në Detyrë, Cakaj, në ndërhyrjen e tij theksoi edhe njëherë gatishmërinë e Shqipërisë, që në krye të herës, për të qenë përkrah aleatëve, si dhe autoriteteve të Irakut, në përpjekjet e përbashkëta për të shkatërruar përfundimisht ISIS.

Cakaj vlerësoi se solidariteti që ka karakterizuar Koalicionin, vendosmëria dhe kontributi substancial i përbashkët, ka dhënë rezultate të shkëlqyera në luftën e kundër terrorizmit dhe ISIS.

Në përfundim të fjalës së tij Cakaj shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen dhe bashkëpunuar ngushtë me aleatët për të ndërtuar paqen e vështirë në rajon dhe inkurajuar Qeverinë e Irakut për të siguruar dhe çuar përpara fitoren e arritur, për konsolidimin e paqes së qëndrueshme dhe prosperitetin ekonomik të vendit.

 

Fraksion.com