Shtyhet seanca, Tahiri: Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi
“Nuk e kam humbur ende durimin, do të pres…dhe pastaj do të flas”. Me këto fjalë reagoi për mediet ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pas daljes nga godina e Prokurorisë dhe Gjykatës për Krimet e Rënda, ku u zhvillua me dyer të mbyllura seanca me në fokus kundërshtimin e tij për shtyrjen e mëtejshme të hetimeve.
Ish-ministri tha se pret që t’i shkojë deri në fund drejtësisë, por këmbënguli se një drejtësi e vonuar nuk është më drejtësi.
“Do të pres deri në fund, edhe pse ka përfunduar çdo limit i arsyeshëm për hetimin. E kam respektuar drejtësinë, edhe pse më është dashur të bëj një sakrificë”, tha Tahiri.
Ai rikujtoi se hetimet ndaj tij si person i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe grup të strukturuar kriminal në Itali, nga ku edhe nisi e gjithë çështja, janë mbyllur, ndërsa këtu në Shqipëri “kam frikë se po vonohen sepse nuk dinë si ta mbyllin”, tha ai.
Në fund, Tahiri u shpreh se mirëpret reagimin e Prokurorisë për nxjerrje të sekretit hetimor, ndërsa ashtu siç u raportua në fillim, ai përsëriti se s’ka mbetur asgjë sekrete nga çështja hetimore ndaj tij.
Fraksion.com