Përgjigja e demokratëve ndaj fjalimit të presidentit Trump
Stacey Abrams, Kryetare e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetit Xhorxhia, ish-kandidate për guvernatore të këtij shteti në zgjedhjet e fundit, e hapi fjalimin me një histori të shkurtër të familjes së saj që e përdori si simbolizëm për karakterin e popullit amerikan:
“Forca dhe fuqia jonë si amerikanë jeton tek puna jonë e palodhur dhe tek besimi i të krijuarit më shumë.
Familja ime kuptoi nga vetë eksperienca e saj se megjithëse suksesi nuk është i garantuar, ne jetojmë në një vend ku mundësia ekziston.
Por nuk ja dalim mbanë të vetëm – në këto Shtete të Bashkuara, kur kohërat janë të vështira, ne mund të ngulmojmë pasi miqtë tanë dhe fqinjët do të na vijnë në ndihmë”.
Zonja Abrams kritikoi politikat e administratës duke i fajësuar për mbylljen e qeverisë së nga fundi i dhjetorit deri 10 ditë më parë.
“Vetëm pak javë më parë, unë iu bashkova vullnetarëve për të shpërndarë ushqim për punonjësit federalë të pezulluar nga puna. Ata pritën në radhë për një kuti me ushqime dhe për një grimcë shprese, pasi nuk ishin paguar për javë të tëra. Të shndërrosh mjetet e tyre të jetesës në vegël për lojëra politike është një turp.
Mbyllja e qeverisë ishte një truk i sajuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara duke sfiduar çdo parim drejtësie dhe duke braktisur jo vetëm njerëzit tanë, por edhe vlerat tona”.
Zonja Abrams foli edhe për nevojën për konsensus e bashkëpunim ndërpartiak:
“Për shtatë vjet, unë udhëhoqa Partinë Demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Xhorxhia. Nuk isha gjithnjë dakord me Kryetarin tonë republikan, apo me Guvernatorin, por kuptova se për votuesit tanë nuk ishin të rëndësishme partitë tona politike – të rëndësishme për ta ishin jetët e tyre.
Kështu që, kur na u desh të negocionim reformën e drejtësisë, apo transportin, apo përmirësimet në sistemin e birësimit, udhëheqësit e shtetit tim nuk e mbyllën punën – ne u bashkuam. Dhe e mbajtëm fjalën.
Nuk duhet të jetë ndryshe në kryeqytetin e vendit tonë.
Vërtet mund të vijmë nga kahe të ndryshme të politikës, por përkushtimi ynë i përbashkët ndaj idealeve të këtij vendi nuk mund të jetë i negociueshëm”.
Pas theksit të fortë që i vuri Presidenti Trump rritjes së ekonomisë dhe papunësisë së ulët në fjalimin e tij, zonja Abrams u shpreh me kritika se për një pjesë të mirë të amerikanëve punët ekzistuese nuk ofrojnë një jetë me siguri ekonomike:
“Në Xhorxhia dhe në mbarë vendin, njerëzit po përpiqen të krijojnë një klasë të mesme, me një pagë që vërtet përfaqëson sigurinë ekonomike.
Por, realisht shpresat e familjeve po dërrmohen nga udhëheqja republikane që injoron jetën reale apo thjesht nuk e kupton atë”
Përfaqësuesja e demokratëve që foli të martën në përgjigje të Fjalimit të Presidentit Trump mbi Gjendjen e Vendit, u shpreh se shumë amerikanë vërejnë se po përdoren forma të ndryshme për t’u mohuar ose kufizuar atyre të drejtën e votës:
Kjo është beteja e radhës për demokracinë tonë, një betejë në të cilën të gjithë qytetarët të mund të shprehin mendimin e tyre për vizionin që duam për vendin tonë.
Duhet ta refuzojmë cinizmin që thotë se të lejosh të dëgjohet dhe të numërohet çdo votë është “kapje e pushtetit”.
Amerikanët e kuptojnë se këto janë vlerat e burrave dhe grave tona me uniformë dhe për të cilat veteranët tanë rrezikojnë jetën e tyre për t’i mbrojtur.
Themelet e udhëheqjes tonë morale në mbarë globin janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nëpërmjet të cilave votuesit zgjedhin udhëheqësit e tyre – dhe jo për politikanët që të zgjedhin votuesit e tyre,” tha Stacy Abrahms në fjalimin që mbajti në emër të Partisë Demokrate, në përgjigje të Fjalimit mbi Gjendjen e Vendit që mbajti Presidenti Trump.