AktualitetPolitikëTë fundit

Përdhunimi në Kavajë, Vokshi: Pse e fshehët krimin; Leshaj: Reaguam në çastin zero

Ngjarja e rëndë e Kavajës, ku një vajzë vetëm 14 vjeçare u përdhunuar nga së paku 7 nxënës të ka shkaktuar debate të ashpra sot në komisionin e Medias, mes ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe opozitës.

Deputetët e opozitës akuzojnë policinë se ka dashur të mbajë të fshehur ngjarjen e rëndë derisa ish kryeministri Sali Berisha e bëri publike ndërkohë që ministri tha se policia ka marrë masat që në momentin zero dhe janë arrestuar adoleshentët por nuk ka ndërmarrë hapa për t’i bërë publicitet kësaj gjëje të shëmtuar.

“Ju deklaroj me përgjegjësi shtetërore policia ka reaguar në çastin zero dhe personat janë arrestuar përpara se të bëhej publike historia por policia nuk ka ndërmarrë hapa për t’i bërë publicitet kësaj gjëje të shëmtuar, të neveritshme kriminale dhe me mesazhe shumë të ulëta për shoqërinë tonë. Duhet të jemi të qartë që policia e shtetit është e fundit në radhë përballë një vepre të tillë që na bën të ndihemi keq. Ju mund të bëni komision hetimor që nesër por policia ka reaguar me profesionalizëm dhe nuk ka bërë publicitet me koshiencën më të plotë se kjo cështje nuk meriton publicitet por përgjegjhmëri për tu zgjidhur. Nuk flas më për këtë çështje”, tha Lleshaj.

Debati

Vokshi: Ministri i Brendshëm e pranoi vetë që ngjarja kishte ndodhur, nuk kishin informuar sepse e quajti publicitet pavarësisht se ishte krim monstruoz. E pranoi vetë që kishte fshehur krimin. Se me çfarë tagri përcakton ministri se është publicitet apo jo?! E pranoi vetë se kishin fshehur ngjarjen.

Lleshaj: Personat në fjalë janë ndaluar nga policia e Shtetit para se shefi juaj ta bënte publike.

Vokshi: A është fshehur ngjarja

Lleshaj: Jo.

Vokshi: Pse nuk e keni në komunikatë?

Lleshaj: Është referuar në prokurori.

Vokshi: Jo, në komunikatë zyrtare.

Lleshaj: Është referuar në Prokurori.

Noka: Ish-kryeministri Berisha e ka me datë denoncimin, na tregoni ju një dokument që tregon me datë se keni bërë referim në Prokurori. Ju gënjeni.

Lleshaj: Zoti Noka, atë fjalë tërhiqe nuk jam nga ai fis unë që gënjej. Nuk gënjej unë.

Noka: Nuk të kemi thirrur për fis, por për ministër.

Vokshi: S’ka lidhje fisi këtu. Ju duhet të keni reagim institucional.

Lleshaj: Do ishte shërbim publik po ta zbardhnim por jo me deklarata të papërgjegjshme.

 

Fraksion.com