Kreu i Gjykatës Administrative në ‘sitën’ e vettingut; 3 denoncime ndaj tij
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot seancë dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Eriol Roshi, kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.
Trupi gjykues përbëhej nga Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.
Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari, tha se nga hetimet e kryera nga KPK, zoti Roshi ka bërë deklarim të pasurisë në përputhje me ligjin, nuk ka fshehje të pasurisë dhe as deklarim të rremë.
” Eriol Roshi ka 1 apartament 110 m2 në vlerën 7 milion 920 mijë lekë. Burimi është një kredi e marrë në bankë, e cila është në proces. Ka burime të mjaftueshme për blerjen e apartamentit. Ka shitur një apartament 55 mijë euro nga prindërit. Në 2006 ka porositur ndërtimin e një apartamenti nga të ardhurat e përfituara nga babai me shitje të artikujve ushqimorë.Posedon një veturë ‘Benz’ 2014 me vlerë 6000 euro nga kursimet e bashkëshortes dhe një ‘Pezho’ 2006 me vlerë 4000 euro nga bashkëshortja. ”
Sa i takon pastërtisë së figurës së gjyqtarit, DSIK e gjen të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.
Lidhur me aftësitë profesionale, KPK tha se zoti Roshi ka aftësi të dukshme të zbatimit të ligjit dhe njohjes, aftësi në arsyetim ligjor.
Relatorja e çështjes tha se ndaj gjyqtarit kanë ardhur 3 denoncime nga emisioni “BOOM” për parregullsi në shpërndarjen e shortit në 2017.
Vetë gjyqtari Roshi tha se ka 14 vite në shërbim të drejtësisë dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.
Seanca për vendimin do të mbahet nesër në orën 09:00.
Fraksion.com