Forum në Uashington, Evropa Juglindore dhe ndikimi rus
Në një nga sallat e Senatit amerikan u mbajt të martën një forum për sigurinë në Evropën Juglindore me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe parlamentarëve nga 17 vende të Evropës. Forumi zhvillohej nën kujdesin e senatorit republikan James Inhofe. Zyrtarët bënë thirrje për të mos e zvogëluar praninë e Shteteve të Bashkuara në rajon, si garanci për të penguar shtrirjen e ndikimit rus, të cilin ata e shohin si faktor që mund të sillte një destabilizim politik.
Në forum mori pjesë si i ftuar nderi presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Kosova përfaqësohej nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
Forumi i përvitshëm, i ndërmarrë me nismën e deputetit nga Shqipëria Fatmir Mediu, zhvillohet prej katër vjetësh nën kujdesin e komisionit të Forcave të Armatosura të senatit amerikan. Këtë vit, në drejtimin e forumit ishte senatori James Inhofe, kreu i këtij komisioni.
Forumi titullohej “Sfidat e tanishme të Evropës Juglindore dhe luftimi i sjelljes keqdashëse të Rusisë në rajon.”
Presidenti Meta, në një koment për Zërin e Amerikës tha se sfidat e Shqipërisë kanë të bëjnë me rritjen e rolit të saj si faktor për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor. Ai e shpjegon kështu arsyen:
“Dihet që ka një angazhim të aktorëve të tretë për të cënuar këto procese stabilizuese dhe integruese në rajonin tonë, të cilat falë angazhimit të përbashkët dhe koordinimit të shkëlqyer në dy dekadat e fundit të SHBA, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kanë sjellë një progres solid. Jemi në një moment ku nuk duhet të kemi jo vetëm një ulje të kësaj pranie amerikane, të NATO-s apo të BE-së, por ku edhe koordinimi i tyre për çështjen e rajonit është mjaft i rëndësishëm për të mos lejuar hapësira për depërtimin e aktorëve të tretë.”
Drejtori i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, David Phillips, thotë se Shqipëria përballet me sfida nga vende të tjera që synojnë të projektojnë ndikimin e tyre atje.
“Ndikimi negativ i Turqisë që ble asete dhe influencon politikanët si dhe një Rusi që po e shtrin dorën në shtetet e periferisë së saj, përfaqësojnë një sfidë serioze për interesat dhe sovranitetin e Shqipërisë.Synimi i Rusisë është të pakësojë ndikimin amerikan dhe, meqenëse Shqipëria dhe SHBA janë miq shumë të ngushtë, Rusia e ka vënë në shënjestër Shqipërinë. Ajo përpiqet gjithashtu të ngushtojë sferën e NATO-s në rajon dhe fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s përfaqëson një kërcënim për Rusinë.”
Ligjvënësit amerikanë që morën pjesë, nga Senati dhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, e shohin forumin si një rast për të ndërtuar partneritete në rajon dhe për të diskutuar mbi gjeopolitikën në Evropën Juglindore. Ata thanë se në dritën e sjelljeve keqdashëse të Rusisë në Ballkan, diskutimi i këtyre çështjeve me udhëheqës të lartë të rajonit është me rëndësi kritike.
Në vitet e kaluara, pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi tema të tilla si ndikimi i ISIS-it në Ballkan, siguria kibernetike dhe gjeopolitika në Ballkan.
Fraksion.com