A do e mbledhë Meta, Këshillin e Sigurisë Kombëtare për rrezikun rus?
Nga Alfred Peza
Fiks në 2 vjetorin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, për mosarrestimin e Klement Balilit, pas letrës që Kryetari i Parlamentit të asaj kohe Ilir Meta I dërgoi Presidentit Bujar Nishani, kemi një zhvillim tjetër. Tashmë me kostumin e Kreut të Shtetit, Ilir Meta ishte prezent në një nga Sallat e Senatit Amerikan, ku u mbajt një forum për sigurinë në Europën Juglindore, me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe parlamentarëve nga 17 vende të Europës.
Forumi titullohej: “Sfidat e tanishme të Evropës Juglindore dhe luftimi i sjelljes keqdashëse të Rusisë në rajon.” Një nga diskutimet më interesante, të veçuara edhe nga program i “Zërit të Amerikës”, ishte ai i Drejtorit të Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, David Phillips. Ai tha se Shqipëria përballet me sfida nga vende të tjera që synojnë të projektojnë ndikimin e tyre atje.
“Ndikimi negativ i Turqisë që ble asete dhe influencon politikanët si dhe një Rusi që po e shtrin dorën në shtetet e periferisë së saj, përfaqësojnë një sfidë serioze për interesat dhe sovranitetin e Shqipërisë. Synimi i Rusisë është të pakësojë ndikimin amerikan dhe, meqenëse Shqipëria dhe SHBA janë miq shumë të ngushtë, Rusia e ka vënë në shënjestër Shqipërinë. Ajo përpiqet gjithashtu të ngushtojë sferën e NATO-s në rajon dhe fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s përfaqëson një kërcënim për Rusinë.”,- tha Phillips.
Nëse i besojmë kësaj deklarate dhe shumë të tjerave që u bënë aty por edhe më parë, Presidenti i Republikës sapo ka dëgjuar se “Rusia e ka vënë në shënjestër Shqipërinë”, duhej që të merte më shumë informacion dhe pas kësaj, të thërrasi menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas nenit 168 të Kushtetutës, ky është një organ këshillimor i kreut të shtetit, ku ai ka mundësinë që të mësojë edhe më shumë nga drejtuesit e institucioneve të sigurisë sonë kombëtare, rreth realitetit në Shqipëri të këtij shqetësimi të aleatëve tanë strategjikë. E më pas, të ndërmarë të gjitha hapat që i përcakton dokumenti themeltar i shtetit, për tu përgatitur e për të përballuar sa më mirë këtë situatë.
Dy vjet më parë, Bujar Nishani e argumentoi vendimin e tij për ta mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë për arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”, me vlerësimin si serioze të kërkesës së Kryeparlamentarit të atëhershëm Ilir Meta. Tani që shyqyr Zotit, Klement Balili ndodhet në qeli në pritje të zhvillimit të procesit gjyqësor ndaj tij, pyetja që shtrohet për Ilir Metën sot është: Kush ishte më e rrezikshme për sigurinë tonë kombëtare, arrestimi i një prej drejtorëve të LSI në jug të vendit, apo vendosja e Republikës së Shqipërisë, nën shënjestrën e Rusisë?
Shumëkush tani mendon se me siguri Presidenti i Republikës, puna e parë që do të bëjë sapo të rikthehet në Tiranë, është që të mbledhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare. A do ta bëjë? Këtë nuk mund ta them dot. E sigurtë është që Bujar Nishani, nisur nga rasti “Balili”, do ta bënte!
Fraksion.com