AktualitetEkonomiTë fundit

Vendimi për faturat e energjisë, kriteret e reja për familjarët

Të gjitha familjet në nevojë që s’kanë mundësi të paguajnë në kohë faturat e energjisë elektrike, nuk do t’u ndërpritet më furnizimi me energji. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar Rregulloren mbi kushtet specifike për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të klientëve në nevojë, ku përcakton të drejtat e familjeve në pamundësi ekonomike për të pasur energji, pavarësisht faktit nëse mund ta paguajnë atë në kohë ose jo.

Ndërmjet të tjerave, kjo rregullore përcakton se furnizuesi me energji, në këtë rast OSHEE, nuk mund të ndërpresë energjinë elektrike për këtë kategori, përveçse kur brenda 1 viti kalendarik, abonenti nuk ka pranuar asnjë nga programet apo planet e pagesës që i është ofruar nga furnizuesi, apo kur në 4 muajt e fundit ai nuk ka pranuar të paguajë energjinë elektrike sipas planit të rënë më parë dakord. Gjithashtu, klientëve në nevojë nuk do t’u ndërpritet ndër të tjera energjia elektrike edhe kur temperaturat ditore kapin nivelin e minus 15 gradëve celsius. Një përcaktim ky që nuk vlen shumë për rastin e Shqipërisë, pasi këto temperatura janë të rralla edhe për zonat më të ftohta të Shqipërisë.

Detyrimet e furnizuesit

Rregullorja në fjalë i përcakton furnizuesit një sërë detyrimesh si një mënyrë për të mbrojtur klientët në nevojë. Kështu, klientëve në nevojë të regjistruar, sipas kritereve specifike, si të varur në mënyrë kritike nga energjia elektrike për jetën e tyre, nuk mund t’u ndërpritet furnizimi me energji elektrike për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike.

Furnizuesi i energjisë nuk mund të ndërpresë furnizimin për mospagesë kur një abonent përfiton nga statusi i klientit në nevojë, përveçse kur në 12 muajit e mëparshëm, ofruesi i shërbimit (furnizuesi), i ka ofruar dy herë një plan pagese që përshtatet me të ardhurat e klientit ose asistencë pagese, në kuadër të statusit si klient në nevojë dhe është refuzuar prej tij. Furnizimi me energji elektrike nuk mund të ndërpritet edhe në rastet kur klienti ka paraqitur dhe është në proces trajtimi të kërkesës së tij, për t’u klasifikuar si klient në nevojë, si edhe kur klienti ose një prej familjarëve të tij përdorin pajisje për mbështetjen e jetës, të cilat funksionojnë me energji elektrike dhe ka njoftuar paraprakisht me shkrim për këtë situatë.

Po ashtu, nuk mund të ndërpritet furnizimi me energji elektrike në ditët kur furnizuesi nuk realizon shërbimin për klientët në qendrat e kujdesit ndaj klientit, ose kur klienti është duke respektuar një plan pagese formale, ose kur klienti ka paraqitur një ankesë. Pavarësisht nga sa më sipër, furnizimi i energjisë elektrike për klientët në nevojë nuk mund të ndërpritet edhe në rastet e mëposhtme: Kur klienti i energjisë nuk paguan për furnizimin me energji elektrike plotësisht ose pjesërisht, sikurse kërkohet në kontratën e energjisë elektrike, por detyrimi i tij i përgjithshëm ndaj furnizuesit nuk e tejkalon nivelin minimal të të ardhurave, ose në fundjavë, ose gjatë ditëve të pushimit, sikurse edhe në rastet e kushteve atmosferike me temperaturë ditore -15 gradë celsius. /GSh

 

Fraksion.com