Rama: E mirëseardhur kronika nga kanali televiziv i NATO-s
Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjes me një kronikë të transmetuar nga kanali televiziv i NATO-s.
Ky kanal i ka kushtuar një kronikë kësaj baze ajrore, një projekt sa ambicioz, aq edhe i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por mbi të gjitha për sigurinë rajonale.
Baza e Kuçovës jo vetëm do të rikthejë lavdinë e dikurshme të atij aeroporti, por do jetë edhe baza e parë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
“Në Shqipëri gjendet një varrezë aeroplanësh MIG. MIG 15, 17 dhe 19 nuk përdoren më. Aeroplanët i përkasin kohës së regjimit komunist dhe vendndodhja e tyre është baza ajrore e Kuçovës. Në Kuçovë ka pasur gjithnjë e më pak aktivitet me kalimin e viteve. NATO ka rënë dakord të investojë 51 milionë euro për të modernizuar Kuçovën”, thuhet në kronikën e kanalit televiziv të NATO-s.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shprehet se “modernizimi i bazës ajrore të Kuçovës është shumë i rëndësishëm dhe tregon se Aleanca është ende shumë aktive në të gjithë rajonin tonë”.
“Kjo tregon gjithashtu se Shqipëria është një anëtar i besueshëm i NATO-s. E gatshme të marrë përsipër më shumë përgjegjësi në të mirë të paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, nënvizon Meta.
Sipas tij, modernizimi do ta sjellë Kuçovën në standardet e NATO-s.
“Modernizimi përshin riparimin e pistës, të asfaltit dhe të depos , si dhe i shton rajonit një bazë ajrore të NATO-s”, shton Meta.
Ndërsa Gjenerali Tod Walters, Komandant në Komandën Ajrore të Forcave Aleate shprehet se “afërsia me rajonin lidhet me të gjithë kontinentin europian. Kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut kur shikon krahun jugor të kontinentit europian paqja dhe prosperiteti është i rëndësishëm”.
“Për këtë arsye, Shqipëria në rajon, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor bëhet një vend me rëndësi kritike. Shqipëria hyri në NATO në 2009-ën. Ajo ka kontribuar për shumëfishimin e misioneve të NATO-s përfshi Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe kanë dhënë një mbështetje të vendosur”, theksoi Walters.
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, shprehet se “sot, rreth 10% e forcave tona të armatosura është dislokuar në operacione dhe ne do të na pëlqente të mendonim se ne nuk jemi thjesht konsumatorë të sigurisë, por jemi edhe eksportues të sigurisë”.
Sipas saj, përtëritja e Kuçovës përfaqëson vazhdimin e bashkëpunimit Shqipëri-NATO.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thekson se “të qenit pjesë e NATO-s
i jep një vendi një burim të ri energjie për të ecur përpara dhe kjo është absolutisht ajo që na bën të ndihemi me kaq fat të jemi këtu dhe të jemi pjesë e kësaj organizate”.
Investimi në bazën ajrore të Kuçovës mundëson transformimin e kësaj hapësire në një aeroport ushtarak me standardet e NATO-s. Ky investim do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik e social të gjithë kësaj zone, ku ndërtimi i një baze ajrore të teknologjisë së fundit, jo vetëm do të thotë më shumë punësim, por edhe më shumë ekonomi e konsum në një rreze të caktuar rreth saj.
Postimi i z Rama:
“MIRËMËNGJES 😃
dhe me këtë kronikë të mirëseardhur nga kanali televiziv i NATO-s kushtuar Bazës së Kuçovës, ju uroj një ditë të mbarë 🇦🇱”, shkruan z Rama në Facebook.
Fraksion.com