Përgjimet e VOA-s, Krimet e Rënda: S’ka hetim për gazetaren
Një ditë pasi Zëri i Amerikës publikoi përgjimet e prokurorisë për Avdylaj dhe kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, Prokuroria nisi hetimet për nxjerrje sekreti. Ndonëse nuk pati emra, u aludua edhe se gazetarja Klodiana Lala, e cila bashkëpunoi me BIRN për investigimin mund të ishte nën hetim.
Por sot Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka njoftuar se po kryhen hetime për veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal, të lidhur me publikimin në mediat elektronike dhe të shkruara të disa akteve proçedurale të proçedimit penal nr.339 viti 2016.
Sipas Prokurorisë, hetimet ne lidhje me këtë vepër penale kanë filluar që në muajin nëntor 2018 dhe lidhen me faktin se duke filluar që nga viti 2017 dhe në vazhdim, në kundërshtim me ligjin janë bërë publike akte sekrete të përgjimeve të këtij procedimi penal.
“Informojmë opinionin publik se gazetarja Klodiana Lala nuk është person nën hetim në këtë proçedim penal dhe nuk është duke u hetuar nga ky organ proçedues. Hetimet janë duke u kryer në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e personave të tjerë funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë hartuar aktet e përgjimeve, kanë administruar këto akte dhe kanë patur akses në to, por dhe kushdo tjetër që në bazë të ligjit është njohur me aktet e sipërcituara dhe ka patur detyrimin ligjorë për ruajtjen e sekretit hetimor si dhe marrjen e masave të nevojshme për ndalimin e publikimit të akteve të proçedimit penal të mësipërm”, deklaron Prokuroria./BW
Fraksion.com