AktualitetEkonomiTë fundit

“Lulëzon” tregtia me Kolumbinë: Importet rriten me 136 % në 2018-n

Importet nga shteti i largët i Kolumbisë drejt Shqipërisë kanë njohur një rritje të fortë gjatë tre viteve të fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2018-ën, u importuan nga Kolumbia mallra me vlerë gati 2 miliardë lekë, me një rritje prej 136% në krahasim me vitin e mëparshëm, ndërsa deri në 2015-ën kishin qenë në vlera të papërfillshme (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia drejt Shqipërisë).

Ndonëse në vlerë absolute, mallrat që importojmë nga Kolumbia janë të ulëta, duke e renditur në total në partnerin e 41 nga 242 shtete në 2018-ën, rritja ka qenë shumë e fortë. Por sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor, Kolumbia renditet në vend të 11 për nga rritja e importeve në vlerë absolute, pas Izraelit, Kinës, Turqisë, Rumanisë, Spanjës, Kroacisë, Greqisë, Holandës, Francës, Indisë (shiko grafikun: 20 shtetet me rritjen më të madhe të importeve në vlerë absolute në 2018-n). Për krahasim, rritja e importeve nga Kolumbia është dy herë më e lartë sesa e atyre nga shteti fqinjë, Kosova.

Nëse e shohim sipas grupmallrave, janë tre grupet kryesore që kanë dhënë ndikim në këtë rritje të fortë. Fillimisht ishin “frutat dhe arrat e lëngshme”, ku zëri kryesor ishte banania, si dhe “Lëkurët e papërpunuara dhe të përpunuara”.

Importet e bananeve u rritën me 21 herë në 2016-n në krahasim me vitin e mëparshëm dhe vazhduan me ritme të larta edhe në 2017 e 2018. Në 2018-n, importet e bananeve ishin 327 milionë lekë, me rritje 11% me bazë vjetore. Kujtojmë që në shkurt 2018 u kap në Portin e Durrësit një kontenier me banane që vinte nga Kolumbia, ku ishin fshehur 613 kg kokainë.

Edhe për “Lëkurët e papërpunuara dhe të përpunuara” importet nisën në 2015-n, për të kërcyer në 2016-n nga 7 milionë lekë në 294 milionë lekë, ndërsa në 2018-n, ky grup shënoi një rënie prej 25%.

Por, ndërsa dy grupet, “frutat dhe arrat e lëngshme”, dhe “Lëkurët e papërpunuara dhe të përpunuara” kanë ngadalësuar ritmet në 2018-n, një tjetër produkt ka kërcyer, duke ndikuar në rritjen e fortë të importeve në 2018-n. Të dhënat e INSTAT tregojnë se bëhet fjalë për “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre” dhe konkretisht, sipas statistikave më të detajuara të Comtrade për nëngrupin e koksit dhe qymyrit “Koks dhe gjysëm koks prej qymyrit, linjitit apo prej torfe, karbon i konvertuar“. Ky produkt ka filluar të importohet në 2017-n, me 170 milionë lekë, duke kërcyer në 2018-n në gati 1.4 miliardë lekë (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia sipas grupeve)/Monitor/

 

duke kërcyer në 2018-n në gati 1.4 miliardë lekë (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia sipas grupeve).

 

Fraksion.com