AktualitetTë fundit

“Fresku” me zyra të reja, Veliaj: Shërbim i shpejtë për qytetarët

Një tjetër zyrë është hapur për njësinë më të re administrative në Tiranë, që do t’u shërbejë banorëve të Qesarakës, zonës së Freskut dhe atyre që banojnë pranë kësaj zone.

“Na nisi viti i ri vërtet mbarë, me 3 njësi të reja. Një këtu te Fresku, një tjetër te Kodra e Diellit dhe një tjetër te zona e Astirit. Të gjithë ata që janë ndierë sikur banojnë në një brez kufitar, pra në një zonë asnjanëse, as këtej, as andej, sot kanë njësitë e tyre. Kjo është një mundësi fantastike për të gjithë qytetarët që duan të marrin shërbimet, duke filluar nga ndihma ekonomike, nga certifikatat, apo kartat e reja të identitetit, t’i bëjnë pranë zonës së tyre”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë transferimin e Gjendjes Civile pranë kësaj njësie, e cila mbulon shërbimet për territorin ku ata banojnë.

“Po u regjistrove këtu, mund të bëjmë më shumë investime këtu. Numërohesh nga bashkia jote, e cila të ketë mundësi të investojë në rrugë, në lagje, në shkolla e çerdhe. Kjo na mundëson që gjëra të thjeshta, si të marrësh kartën e identitetit pa radhë apo të votosh në një qendër votimi, që nuk është as lart në Dajt, as poshtë tek Oxhaku, apo edhe për shërbime të tjera, për të cilat nuk ke nevojë t’i hipësh malit sipër, tani që shërbimet jepen këtu. Statistikisht kemi parë një fluks regjistrimesh te dy njësitë e tjera që janë hapur. Mezi pres që këtë fluks ta shohim edhe këtu, që pastaj të përgjigjemi me investime për banorët që jetojnë këtu”, deklaroi Veliaj.

 

Fraksion.com