AktualitetBota+Të fundit

“Arabia Saudite dhe EBA ia japin armët amerikane Al Kaedës në Jemen”

Raporti i CNN, mbështetur me shumë pamje dhe fotografi, tregon se një pjesë armëve dhe automjeteve të SHBA-së ka rënë në duart e organizatave radikale, ndërsa, gjatë luftimeve, edhe në ato të rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) ua kanë transferuar armët e blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) grupeve të ndryshme në Jemen për të blerë lojalitetin e tyre, përfshirë edhe grupet e lidhura me Al Kaedën, ka treguar një hulumtim i televizionit amerikan CNN.

Përmes hulumtimit të tij në Jemen, CNN ka shpalosur faqen e zezë të koalicionit të Gjirit.

Raporti i teleivizionit, i mbështetur me shumë pamje dhe fotografi, tregon se një pjesë armëve dhe automjeteve të SHBA-së ka rënë në duart e organizatave radikale, ndërsa, gjatë luftimeve, edhe në ato të rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani.

“Arabia Saudite dhe partneri më kyç i koalicionit, EBA, ua kanë dhënë armët dhe automjetet me prodhim amerikan fiseve dhe grupeve në Jemen për të blerë lojalitetin e tyre”, kanë thënë disa burime lokale duke folur për CNN.

Hapi i tillë paraqet shkelje të marrëveshjeve me SHBA-në, pasi, siç thuhet, Pentagoni ndalon transferimin e armëve dhe teknologjive amerikane palëve të treta.

Transferimet e tilla të armëve po ashtu janë komentuar si shpërfillje nga ana e SHBA-së ndaj shkeljeve të rregullave të saj vetëm e vetëm për të mos humbur këta dy shtete si klientë të armëve.

Armë amerikane në rrugë

Në një video nga Taizi të publikuar nga CNN shihet teksa në një dyqan veshjesh shiten pistoleta dhe pushka.

“A keni armë amerikane këtu?”, pyet CNN i maskuar shitësin e armëve, i cili përgjigjet se “Armët amerikane janë të shtrenjta dhe të kërkuara, por mund të sjell me porosi speciale”.

Ndërkaq, në rrugët e Taizit, i cili konsiderohet si kalaja e organizatës terroriste AQAP të lidhur me Al Kaedën, vëmendje tërheqin dhjetëra autoblinda të braktisura të tipit MRAP të prodhuara në SHBA.

Po ashtu, autoblinda amerikane ” Oshkosh M-ATV”, e cila i nënshtrohet kufizimeve të rrepta për sa i përket eksportit, është vërejtur në duart e Brigadës Abu Abbas, e lidhur me AQAP.

CNN ka theksuar gjithashtu se në vitin 2015, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite kishte hedhur nga avioni antitankë të tipit TOW për, siç ishte thënë nga koalicioni, forcat qeveritare, por ato kanë kaluar në duart e AQAP.

Edhe pse autoritetet lokale nuk e kanë lejuar televizionin amerikan të zhvillojë hulumtimin në rajonin ku janë hedhur armët nga avioni, disa burime lokale kanë pohuar se predhat TOW i janë shitur me para AQAP-it.

Gjithashtu, pamjet e regjistruara në qytetin Hudejde tregojnë dhjetëra autoblinda MRAP në duart e një shitësi vjeturinash.

Gjersa te disa prej tyre gjendej stema e grupit “Brigada e Gjigantëve” (Alwiyat al Amalqa), njëra prej tyre kishte etiketën e eksportit që tregon se ajo është dërguar nga Beaumont i Teksasit në Abu Dhabi të EBA-së, para se të përfundonte në duart e militantëve.

Siç thuhet, një numër i madh i këtyre mjeteve kanë përfunduar edhe te rebelët Huthi gjatë luftimeve./AA

 

Fraksion.com