Angli: Kapen 5 shqiptarë me kanabis; Tre identifikohen (Emrat)
Policia Britanike pas një aksioni i cili përbëhej nga 50 policë ka arrestuar 5 shqiptarë për veprën penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike të llojit kanabis. Pas operacioni me helikopter nga ajri janë identifikuar mbi 570 bimë kanabis, që ishin mbjellë në shtatë shtëpi të ndryshme në zonën e Brettonit.
Sipas mediave britanike, shqiptarët e arrestuar janë të moshave nga 19-49 vjeç, ndërsa tre prej tyre janë identifikuar me emra.
Të arrestuarit e identifikuar janë Adrian Pepaj, 22 vjeç, i cili akuzohet edhe për mbajtjen e dokumenteve të rreme, ndërsa Kledian Lezaj, 27 vjeç dhe Sokol Sakuta, 23 vjeç, janë akuzuar për veprën penale të prodhimit të lëndëve narkotike. Pas verifikimeve të hollësishme, dy nga pesë të arrestuarit janë liruar dhe po hetohen në gjendje të lirë.
Vlera e drogës, e cila u shkatërrua nga 50 punonjës policie do të kapte vlerën e 500 mijë paund nëse do shitej në tregun e zi. Rreshteri Jason Hancock, tha për mediat angleze se operacioni ka të bëjë me sekuestrimin e pasurisë dhe kapjen e grupeve të rrezikshme.
“Ky ishte një operacion fantastik, por nuk ishte vetëm për gjetjen e fermave të kanabisit, edhe pse ky është një sukses në vetvete. Kjo ka të bëjë me marrjen e gjysmë milioni paund nga xhepat e bandave të organizuara të cilët do të përdorin paratë për të blerë drogë të klasit A dhe për të financuar krimin si trafikimi i qenieve njerëzore.
Ky ishte një operacion i udhëhequr nga inteligjenca, ku mësuam për një shtëpi dhe dërguam helikopterin për të verifikuar atë që menduam. Helikopteri gjeti edhe gjashtën të tjera. Këto prona mund t’i jepnin bandave të organizuara rreth 2,5 milionë paund, por ne e kemi ndaluar këtë”, tha ai./BW
Fraksion.com