Albin Kurti nga Tirana: Po, bashkimit kombëtar; Jo, pazareve me Serbinë
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se Kosova duhet ti thotë po bashkimit me Shqipërinë dhe jo pazareve me Serbinë.
Duke folur nga Tirana, Kurti tha se eksponentë të caktuar duan të ndotin fjalën “bashkim” duke skajuar skema se për një bashkim të tillë duhet ti japim territor Serbisë.
” Ne themi po bashkimit me Shqipërinë dhe jo pazareve me Serbinë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhet të na rrisë dhe jo të na fragmentarizojë, ndajë, copëtojë dhe të na zvogëlojë. Duan ta ndotin fjalën bashkim duke e sajuar skemën sipas së cilës për tu bashkuar me Shqipërinë duhet ti japim tokë Serbisë. Ne i themi jo. Nuk i kemi asnjë borxh Serbisë, Serbia na ka shumë borxh ne.
Na e ka borxh edhe Kosovën lindore, Preshevën, Bujanocin, por edhe shumë borxh për shkak se para 20 viteve vrau 10 mijë shqiptarë civilë, dhunoi 20 mijë gra dhe vajza shqiptare, depërtoi jashtë Kosovës 860 mijë shqiptarë në pranverën 1999, i dëboi nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë, na plaçkiti depozitat bankare, fondin pensional, artifaktet kulturore, nuk ka njeh pavarësinë dhe tani ti bëjmë koncesione të reja shtetit që udhëhiqet nga çetnikët e Millosheviçit.
Presidenti Aleksandër Vuçiç kur unë protestoja në fund të ’90 ishte Ministër i Informatave të Millosheviçit. Me çetnikët nuk duhet të bëjmë pazar me trojet tona kombëtare. Po bashkimit kombëtar, jo pazareve me Serbinë”.
I pyetur se cili do të jetë aksioni politik i Vetëvendosjes nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimin e VV për ligjin e dialogut me Serbinë, Kurti u shpreh:
“VV është fituese e zgjedhjeve të ardhshme që po spostohen në kohë pikërisht për shkak se dihet rezultati i tyre. Kur PDK i fitonte zgjedhjet organizoheshin shumë shpesh tani që duket që i fiton VV po rrënojnë dhe mekanizmin e procesit, Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që nuk është funksional meqenëse Presidenti nuk thërret anëtarët të bëjnë betimin. Do angazhohemi brenda dhe jashtë Kuvendit që sa më parë të kemi zgjedhje. Ndërkaq dialogu me Serbinë është antikombëtar, antidemokratik dhe terësisht jo legjitim.”
Fraksion.com