SHBA: Kandidatët e pavarur dhe zgjedhjet presidenciale
Howard Schultz, manjati i kompanisë së kafesë “Starbucks Coffee”, bëri të njohur ditët e fundit se po shqyrton mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, si kandidat i pavarur, duke i shtuar një element të papritur fushatës presidenciale të vitit 2020, ende në fazat e saj të hershme.
Zoti Schultz është miliarder, me aftësinë dhe siç duket, edhe me dëshirën për ta financuar vetë fushatën e tij; në këto kushte, ai mund të ketë një ndikim të madh në garën presidenciale, edhe pse shanset e tij për fitore duken të vogla.
Kjo përpjekje e zotit Schultz për të hyrë në garë ka nxitur një sërë reagimesh në mbarë vendin. Njoftimi i tij zgjoi interesin e atyre që dëshirojnë të kenë një alternativë të tretë ndaj sistemit me dy parti. Ndërsa shumë veteranë të politikës u tallën me vendimin e tij, ngaqë e shohin si një dilentant të pasur.
Më së shumti, njoftimi i zotit Schultz provokoi frikë në mesin një numri të madh demokratësh, të cilët shqetësohen se ai mund të tërheqë vota nga i emëruari i partisë së tyre, duke i dhënë kështu Presidentit Donald Trump më tepër mundësi për t’u rizgjedhur, megjithë rënien e tij të ndjeshme në anketat e opinionit publik.
65-vjeçari Schultz është nga Bruklini i Nju Jorkut; ai fitoi miliarda dollarë me biznesin e tij në brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara, duke e shndërruar një kompani të vogël të kafesë në Seattle, në një rrjet prej 28 mijë dyqanesh të përhapura në mbarë botën. Gjatë këtyre viteve, ai ka qenë një donator i rëndësishëm i Partisë Demokrate, duke u vetëshpallur si një “demokrat i përjetshëm”.
Por, kjo tani ka ndryshuar.
Në disa intervista të njëpasnjëshme gjatë javës në stacionet televizive, Howard Schultz, tha në mënyrë të qartë se është distancuar nga të dyja partitë e mëdha, duke shtuar se ato nuk janë duke u shërbyer shumicës së amerikanëve, qofshin “republikanët e së djathës ekstreme, apo demokratët e së majtës ekstreme.”
Në kërkim të një rruge të mesme
Ndërsa zoti Schultz nuk i ka paraqitur ende detajet e politikave të tij, ai duket se po kërkon të gjejë një rrugë të mesme: duke qenë dakord me republikanët për disa çështje ekonomike dhe fiskale; por për shumë çështje sociale ai është në krahun e demokratëve.
Ai ka denoncuar me forcë propozimet e disa demokratëve me peshë, për ta zgjeruar sigurimin shëndetësor “Medicare” për të gjithë amerikanët dhe për shtimin e taksave ndaj të pasurve, përmes rritjes së përqindjes së taksimit mbi atë pjesë të popullatës që ka të ardhura më të larta, apo për taksimin e pasurisë, përveç taksës mbi të ardhurat.
Në një intervistë në CNN, ai e hodhi poshtë idenë e zgjerimit të sistemit të sigurimeve shëndetësore “Medicare” si “jo-amerikane”. Në një intervistë për Radion Kombëtare Publike, NPR, ai e cilësoi “qesharak” planin e demokratëve për rritje taksash.
Por kur është fjala për shumë nga çështjet që kanë shkaktuar përplasje kulturash në vend, zoti Schultz mbetet në anën e partisë së tij të preferuar, asaj demokrate. Ai mbështet të drejtën e abortit dhe të martesës së homoseksualëve dhe ka folur për rregulla më të forta për mbajtjen e armëve. Ai po ashtu mbron idenë për t’i dhënë shtetësinë imigrantëve pa dokumente, si dhe marrjen e masave të forta për ndryshimet klimatike.
Howard Schultz beson se qëndrimet e tij të përzjera politike do të tërheqin ata individë, të cilët ai i ka cilësuar vazhdimisht si “shumica e heshtur” e votuesve të pavarur, të cilët janë të pakënaqur nga të dyja partitë kryesore dhe duan të mbështesin një kandidat të pavarur.
Por sudjuesit e politikave nuk kanë vlerësim të njëjtë për elektoratin amerikan. Ndërsa rreth 40 për qind e votuesve e identifikojnë veten si të pavarur, studimet kanë treguar vazhimisht se shumica e tyre kanë preferenca për njërën, apo tjetrën parti.
Schultz, si personi që saboton status kuonë
“Është tepër naive të mendosh ndryshe”, – thotë Kyle Kondik, kryeredaktor i gazetës “Sabato’s Crystal Ball”, botim i Qendrës për Politika të Universitetit të Virxhinias. “Kjo flet për një konceptim shumë të pasofistikuar të elektoratit amerikan. Një person si Schultz mund ta dëmtojë fushatën, por e kam tepër të vështirë të imagjinoj fitore për të”, thotë analisti Kondik.
Me të vërtetë, komentatorët dhe politikanët e të dyja partive, më tepër e konsiderojnë atë si një forcë penguese në një garë shumë të fortë, se sa si një president të mundshëm.
“Prania e tij në garë shton pasiguritë”, – thotë Seth Masket, drejtor i Qendrës për Politikta Amerikane në Universitin e Denverit.
“Ai ka shumë pak shanse që t’i fitojë zgjedhjet e 2020-ës, por ka mjaft mundësi që të ndikojë tek rezultati i tyre,” shton zoti Masket.
Nga ana e tij, Howard Schultz ka thënë se nuk synon të ndihmojë presidentin aktual.
“Nuk do ta vija kurrë veten në një pozitë ku po ndihmoj në rizgjedhjen e Donald Trumpit,” – tha ai në një intervistë për CNN-in. Por ai ka lënë të kuptohet se nëse demokratët përqëndrohen tek kandidatë si Senatorja Elizabeth Warren e Masaçusetsit, apo Senatori i Vermontit Bernie Sanders, do të preferonte të fillonte fushatën si kandidat i pavarur.
Një listë e gjatë kandidatësh të pavarur që kanë dështuar
Nëse merr vendimin për të kandiduar, Howard Schultz do t’i bashkohej një liste të gjatë personash jashtë politikës, që janë përpjekur të prishin sistemin dy-partiak që ka dominuar politikën amerikane që pas Luftës Civile.
Këta kandidatë të dalë nga shtresa të ndryshme politike e sociale të vendit në kohë të ndryshme, kanë patur diçka të përbashkët: dështimin në zgjedhje.
Kanë kaluar më tepër se 50 vjet nga koha kur një kandidat që nuk ka përfaqësuar asnjërën prej dy partive kryesore në Shtetet e Bashkuara, të ketë fituar një votë të vetme të Kolegjit Elektoral në zgjedhjet presidenciale.
Në vitin 1968, George Wallace dhe Partia e Pavarur Amerikane, që kandidoi me një platformë elektorale përçarëse mbi bazën e etnicetit dhe racës, mundën të sigurojnë vetëm 46 vota të Kolegjit Elektoral. (Kandidati i Partisë Libertariane, mori vetëm një votë elektorale në vitin 1972, por nuk e fitoi atë vetë. Ajo votë iu dha prej një zgjedhësi “të pabindur”, i cili mendohej se do të votonte për kandidatin republikan Richard Nixon.)
Kandidati i pavarur më i suksesshëm që nga koha e zotit Wallace, ishte sikurse Schultz, një tjetër miliarder që e financoi vetë fushatën e tij. Biznesmeni nga Teksasi H. Ross Perot siguroi rreth 19 për qind të votës popullore në vitin 1992, por edhe ky rezultat nuk ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë atij një votë të vetme të Kolegjit Elektoral.
Por e rëndësishme është të mos ngatërrohet mungesa e suksesit në sigurimin e votave të Kolegjit Elektoral me mungesën e ndikimit të përgjithshëm tek elektorati; për këtë arsye kandidimi i mundshëm i zotit Schultz po i nervozon disa njerëz.
Efekti Perot
Efekti Perot në garën presidenciale të vitit 1992, mbetet sot burim debati.
Pak dyshime ka, që fokusi i tij i madh tek deficiti buxhetor i detyroi kundërshtarët e tij, Presidentin e asaj kohe George H. W. Bush dhe rivalin e tij demokrat Bill Clinton, t’i kushtojnë më tepër vëmendje kësaj çështjeje, nga sa do të kishin vepruar pa praninë e tij. Ende nuk kanë marrë përgjigje pyetjet nëse Perot ndihmoi zotin Clinton të fitojë zgjdhjet, duke i marrë vota zotit Bush.
Politologët mendojnë se Bill Clinton do të kishte fituar gjithsesi në një garë me dy kandidatë. Por ka disa anëtarë të Partisë Republikane, të cilët ende sot fajësojnë zotin Perot për faktin që George Herbert Walker Bush, ndryshe nga i biri, nuk arriti të siguronte një mandat të dytë presidencial.
Ka edhe raste të tjera, kur kandidatët e një partie të tretë ndikuan në garë: në zgjedhjet e vitit 2000 dhe ato të 2016-ës.
Në zgjedhjet e vitit 2000, rezultati u përcaktua nga shteti i Floridës, ku republikani George W. Bush dhe demokrati Al Gore patën një diferencë votash prej vetëm 0.01 për qind.
Në garën e atij viti, aktivisti karizmatik Ralph Nader ishte kandidat i Partisë së Gjelbër. Ai fitoi 2.74 për qind të votës kombëtare dhe ajo që ishte e rëndësishme, ai siguroi 1.63 për qind në Florida.
Në një garë të zakonshme, ky rezultat nuk do të kishte patur rëndësi; por mendohet gjerësisht se Partia e Gjelbër tërhoqi votues vetëm nga e majta, duke i dhënë një goditje fatale zotit Gore në garën e Floridës.
Edhe në garën e vitit 2016, kandidatja e Partisë së Gjelbër Jill Stein, mendohet se dëmtoi shanset e demokrates Hillary Clinton në gara të rëndësishme, si ato të shteteve Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani.
Në të treja këto shtete zonja Clinton humbi garën me zotin Trump me një diferencë më të ngushtë votash se numri i votave që mori kadidatja Stein. Edhe pse është e pamundur të dihet me siguri se për kë do të kishin votuar mbështetësit e zonjës Stein nëse ajo nuk do të ishte përfshirë në garë, mendohet gjerësisht se ajo dëmtoi shumë më tepër zonjën Clinton, se sa zotin Trump.
Shqetësim për Bloombergun
Mundësia që zoti Schultz të kandidojë në zgjedhjet presidenciale dhe të ndikojë negativisht tek shanset e demokratëve, i ka bërë ata të shqetësohen.
Ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg, i cili po shqyrton mundësinë që të kandidojë për të marrë emërimin e Partisë Demokrate, tha se kishte shqyrtuar mundësinë e kandidimit si i pavarur, por mendon se nga kjo do të ishte në favor të zotit Trump.
Përmes një deklarate ai tha: “Në zgjedhjet e vitit 2020, ka shumë mundësi që një kandidat i pavarur t’i përçajë votat e atyre që janë kundër zotit Trump, duke bërë që ai të fitojë. Duke patur parasysh realitetin e politikës amerikane dhe sistemin e kolegjit elektoral, është e pamundur që t’i fitojë zgjedhjet një kandidat i pavarur. Sot kjo është më e vërtetë se kurrë”- tha zoti Bloomberg.
Por jo të gjithë janë të bindur se nëse kandidon, Howard Schultz do të dëmtonte kandidatin demokrat, duke patur parasysh prejardhjen dhe formimin e tij, elektorati i zotit Schultz kryesisht do t’i përkiste shtresës së bardhë, të pasur, të arsimuar, kryesisht votuesve të periferive thotë analisti Kondik. Ai shton se eksiton mundësia se ai mund të dëmtojë po aq zotin Trump, sa edhe kandidatin demokrat./VOA
Fraksion.com