AktualitetBota+Të fundit

Mundësia e një takimi Trump-Xi për marrëveshjen tregtare

Presidenti amerikan Donald Trump shprehu optimizëm se ai do të arrijë një “marrëveshje shumë të mirë me Kinën” dhe ka lënë të kuptohet se ai mund të takohet me Presidentin Xi Jinping para afatit të 1 marsit për të arritur një marrëveshje të re tregtare. Presidenti Trump i bëri komentet të ejten ndërkohë që po zhvolloheshin bisedime mes negociatorët amerikanë dhe atyre kinezë për çështjet tregtare. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, sjellë hollësitë.

Një garë derrash për të festuar “Vitin Kinez të Derrave” javën e ardhshme. Por fermerët e derrave në Kinë po përballen me pengesa, ndërsa fillon Viti i Ri i Derrave, pasi tarifat amerikane për sojën kanë rritur koston e ushqimit të kafshëve, duke detyruar shumë fermerë të zvogëlojnë tufat për të ulur humbjet në biznes.

Kjo është një nga pasojat e luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës që negociatorët e të dyja palëve po përpiqen ta trajtojnë gjatë bisedimeve në Uashington.
Presidenti Donald Trump thotë se është optimist.

“Nëse arrihet, kjo do të jetë një nga marrëveshjet më të mira dhe më të mëdha tregtare deri tani, do të jetë një nga marrëveshjet më të mira të nënshkruara ndonjëherë “.

Presidenti Trump u takua me zëvendëskryeministrin kinez dhe kryenegociatorin tregtar Liu He, për të diskutuar shqetësimet e Uashingtonit se Pekini kufizon qasjen e kompanive amerikane në tregjet e Kinës dhe i detyron ato të transferojnë teknologjinë në firmat kineze.

Të hënën, prokurorët amerikanë paditën kryefinancieren e gjigandit kinez të telekomit “Huawei Technologies”, Meng Wanzhou, me akuzat për shkelje të sanksioneve kundër Iranit dhe vjedhjen e sekreteve tregtare nga kompania amerikane T-Mobile.

“Në një përpjekje për të ndërtuar robotin e tyre, inxhinierët e kompanisë “Huawei” dyshohet se kanë shkelur marrëveshjen e konfidencialitetit dhe atë të mos ndarjes së informactioneve të produkteve të kompanisë
amerikane T-Mobile, duke i bërë fotografi robotit në mënyrë të fshehtë, duke e matur atë dhe madje duke vjedhur pjesë të tij”, tha Matthew Whitaker, ushtrues i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm amerikan.

Pekini u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të ndalin atë që e quan “shtypje të paarsyeshme të kompanive kineze”.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se aktakuza nuk është e lidhur me bisedimet.

“Ato janë procese tërësisht të veçanta. Negociatat në frontin e tregtisë janë në vazhdim e sipër dhe do të vazhdojnë”, tha Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Trump u takua më parë me presidentin kinez Xi Jinping në dhjetor gjatë takimit të G20-së në Argjentinë. Ai diskutoi rreth një
takimi tjetër me Presidentin Xi, të cilin ai e quan “mik”, në një të ardhme të afërt.

“Marrëveshja përfundimtare do të arrihet. Nëse arrihet, ajo do të nënshkruhet nga unë dhe Presidenti Xi.”

Eksperti presidencial David Barker nga Universitetit Amerikan thotë se Presidenti Trump mbështetet në marrëdhëniet e tij personale për arritjen e marrëveshjes dhe paralajmëron për rrezikun e mundshëm.

“Negociatat tregtare me Kinën janë pak më të ndryshme se negocimi i çmimit në shitblerjen e një pasurie të patundshme. Nëse shkon i papërgatitur, veçanërisht kur ke të bësh me dinamika ndër-kulturore, gjërat mund të shkojnë keq”, thotë David Barker, Universiteti Amerikan.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 mars, Shtetet e Bashkauara kanë thënë se do të rrisin nga 10 në 25 për qind tarifën ndaj mallrave kineze me vlerë rreth 200 miliardë dollarë. Presidenti ka kërcënuar se do t’u vërë tarifa edhe mallrave të tjera kineze me vlerë prej 267 miliardë dollarësh.

 

Fraksion.com