Evropa në rrezik nga armatimet e reja bërthamore
SHBA këtë të premte mund të vendosin për daljen përfundimtare nga Marrëveshja INF. Ajo garanton kufizime në armatimet bërthamore. Tani mund të fillojë një garë e re e rrezikshme.
Ultimatumi amerikan skadon të shtunën
Shkaku për pezullimin e Marrëveshjes INF nga SHBA është prodhimi dhe futja në përdorim e sistemeve ruse raketore me emrin 9M729 (NATO-Code: SSC-8). Ato paraqesin sipas përfytyrimeve të Uashingtonit shkelje të Marrëveshjes për kufizimin e armëve bërthamore. SHBA ka dhënë një ultimatum prej 60 ditësh për shkatërrimin e këtyre pajisjeve. Ultimatumi skadon të shtunën. Por Rusia ka bërë të ditur para javësh se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA dhe nuk i bie ndërmend t’i shkatërrojë këto pajisje. Sipas të dhënave ruse, 9M729 mund të shkojë në largësi deri në 480 km. Ndërsa SHBA janë të mendimit se këto të dhëna nuk janë të vërteta dhe se këto raketa mund të godasin objektiva në largësi prej të paktën 2600 kilometra. Kjo do të thotë se këto trupa mund të godasin gati çdo kryeqytet në Evropë.
Marrëveshja INF (Intermediate Range Nuclear Forces) është nënshkruar në vitin 1987 nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik i atëhershëm. Ajo obligon të dy palët që të heqin dorë nga raketat që arrijnë një largësi mes 500 dhe 5500 kilometra. Njëkohësisht ndalohen edhe testimet e sistemeve të këtilla.
“Nuk mund të ketë një rrugë të posaçme gjermane”
Për Evropën kjo është një çështje tepër e rëndësishme, sepse pezullimi i Marrëveshjes INF mund të rihapë një garë të re për armatime në Evropë. Ekspertët ushtarakë mendojnë se vetëm me këtë marrëveshje mund të ruhet balanca e sigurisë. Përfaqësuesi i CDU/CSU në parlament Johann David Wadephul ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) nga mundësia e stacionimit të armëve të reja atomike në territorin e Evropës. Nëse Rusia nuk është e gatshme të heqë dorë nga sistemet e saja raketore, NATO duhet të rishikojë edhe këtë mundësi. “Nuk mund të ketë një rrugë të posaçme vetëm për Gjermaninë”, mendon ai. Maasi është deklaruar kundër stacionimit të sistemeve të reja raketore në Gjermani dhe Evropë, në qoftë se SHBA pezullon Marrëveshjen.
Ndërsa ekspertët thonë se dalja eventuale e SHBA nga kjo Marrëveshje do të thoshte praktikisht edhe vdekje e saj. Më pas as Rusia nuk do të ketë kurfarë interesi të respektojë këtë Marrëveshje. Kjo mund të shpiejë në garën për armatime edhe në rajonet tjera./DW
Fraksion.com