AktualitetNATO/BETë fundit

Britanikët dalin nga BE, por hyjnë pa vizë

Britanikët do të lejohen të hyjnë pa vizë në BE edhe pas daljes nga bashkësia. Për këtë ranë dakord të 27 shtetet që mbeten në BE. Mosmarrëveshje e re është hapur për Gjibraltarin.

 Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar mund të shpresojnë për normalitet të paktën në një pikë në kaosin e Brexitit. Shtetet e Bashkimit Evropian duan t’u mundësojnë qytetarëve britanikë edhe pas Brexitit hyrje pa vizë në BE, edhe po të mos arrihet nënshkrimi i një marrëveshjeje dypalëshe për t’u shkëputur nga BE. Për këtë ranë dakord ambasadorët e 27 shteteve anëtare të BE. Por nëse Londra do të fusë detyrimin për të marrë vizë për qytetarë të shteteve të veçanta të BE, institucionet e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare janë në gjendje të reagojnë me shpejtësi, u bë e ditur.

Me Parlamentin Evropian tani do të kërkohet një dakordim, në mënyrë që rregullorja të mund të hyjë në fuqi pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Ajo do të vlejë për qëndrime deri në 90 ditë në BE.

Qeveria britanike pati sinjalizuar që për qëndrime më të shkurtra nuk do të kërkojë viza nga qytetarët e Bashkimit Evropian.

Të zemëruar reaguan britanikët për një detaj. Në rregulloren e paraqitur nga shtetet e BE për heqjen e vizave bëhet një dallim midis qytetarëve britanikë dhe atyre nga eksklava britanike Gjibraltar, në jug të Spanjës. Në dokument Gjibraltari karakterizohet si “koloni” britanike. Një zëdhënëse e qeverisë në Londër e kritikoi këtë formulim si “krejt të pavend”.

As tani Britania e Madhe nuk bën pjesë në hapësirën pa kontroll të Shengenit në Evropë. Në hyrje të Britanisë së Madhe ka kontrolle edhe aktualisht. Për qytetarët gjermanë deri tani mjaftonte karta e identitetit.

Fraksion.com