Prokic: Institucionet në Kosovë dhe Shqipëri janë të pafuqishme
Në një periudhë afatmesme niveli i korrupsionit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë ka rënë, por gjatë viteve të fundit situata është përkeqësuar, thotë në intervistë me DW, Lidija Prokiç nga Transparency International.
Lidija Prokic: Duhet thënë se indeksi ynë mat perceptimin e korrupsionit për vitin 2017. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ky ka qenë vit zgjedhjesh e për rrjedhojë u lanë mënjanë shumë reforma. Kjo dëshmon se institucionet në Shqipëri dhe Kosovë nuk janë të fuqishme dhe ndikohen aq shumë nga rrethanat politike saqë bëhen më pak efektive.
Cilat janë sektorët më të korruptuar ose më pak të korruptuar në vendet e Ballkanit Perëndimor?
Ky indeks është një matje e korrupsionit në sektorin publik në të gjithë botën, por nuk na jep informacion rreth korrupsionit në sektorë të veçantë të shoqërisë. Sipas hulumtimeve tona, sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni janë: shëndetësia, energjetika, industria nxjerrëse dhe infrastruktura. Në të gjithë këta sektorë shteti rezulton i kapur tërësisht ose pjesërisht dhe kapja është ndërsektoriale. Kjo do të thotë se një sektor është i kapur nga interesat e grupeve ose individëve të fuqishëm e më pas paraja e korruptuar përdoret për të ruajtur kapjen, shpesh duke blerë mosndëshkimin e korruptimit.
Çfarë bëni ju me këtë indeks?
Ne e përdorim indeksin për t’i treguar publikut se sa efektive është lufta kundër korrupsionit. Përtej IPK-së ne vazhdojmë të mbështesim institucione të pavarura dhe sisteme të forta kontrolli dhe parandalimi në të gjithë botën. Për të arritur këtë ne punojmë si në nivel global ashtu edhe në nivel shtetesh, një prioritet për qeverinë për të hapur vendimmarrjen për pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe për të angazhuar qytetarë për të monitoruar dhe raportuar për rastet e korrupsionit. Ne gjithashtu mbledhim të dhëna dhe ndërtojmë instrumente që ndihmojnë angazhimin e shoqërisë që të monitorojë korrupsionin dhe t’i bëjë presion qeverisë që të merret seriozisht me luftën kundër korrupsionit.
Si ka ndryshuar indeksi në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni gjatë 15-20 viteve të fundit?
Tani për tani, metodologjia jonë lejon vetëm krahasime për periudhën e gjashtë viteve të fundit, që nga viti 2012. Për të qenë e drejtë më duhet të pranoj se në një periudhë më afatmesme, pra 5-6 vjeçare, këto vende janë përmirësuar. Në rastin e Shqipërisë, nga 31 pikë që kishte në vitin 2013 ajo ka arritur 36 në këtë vit. Pra, është një përmirësim i dukshëm nga ana statistikore. Ndërsa Kosova ka shkuar nga 33 (2015) në 37 (2018). Megjithatë progresi i tyre nuk është i konsoliduar, prandaj edhe prej vitit të kaluar ne shohim se secila prej tyre kanë humbur nga dy pikë.
Edhe pse mund të themi se sfidat kryesore janë të njëjta. Ka disa dallime nga vendi në vend. E ato kanë të bëjnë me raportin ndërmjet demokracisë dhe suksesit në luftën kundër korrupsionit. Për shembull, në Maqedoninë, gjatë periudhës së qeverisë autokratike, sistemi i kontrolleve dhe parandalimit të korrupsionit u çmontua në një masë shumë të madhe çka u pasqyrua edhe në një rënie të dukshme të IPK-së në periudhën 2013 (42) – 2018 (37).
Në Kosovë dhe në Shqipëri gjendja është përmirësuar, por këto vende kanë pasur një pikënisje shumë të ulët. Institucionet kanë dobësi në zbatimin e ligjeve ekzistuese. Influenca e elitave politike është shumë e lartë dhe financat politike nuk janë transparente. Në të njëjtën kohë po ngushtohet hapësira për median investigative. Këto zhvillime janë shumë të dëmshme për demokracinë dhe favorizojnë korrupsionin, siç e shohim edhe në vendet e tjera ku janë në pushtet qeveri populiste.
Cila është kostoja e këtij korrupsioni?
Kostoja e korrupsionit bie mbi qytetarët. Kur institucionet janë të dobëta dhe zbatimi i ligjeve varet nga vullneti politik, atëherë qytetarët nuk kanë qasje të mjaftueshme në drejtësi. Kostoja e korrupsionit ndikon gjithashtu në cilësinë e shërbimeve sociale siç janë kujdesi shëndetësor ose arsimi, dhe e njëjta gjë vlen edhe për mjedisin. Për shembull, projektet e infrastrukturës kryhen me transparencë të pamjaftueshme dhe ndërsa kostoja e tyre është e lartë, ndikimi në mjedis është shpesh i dëmshëm dhe dobia e përgjithshme është e debatueshme.
Çfarë mund të bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor për ta zgjidhur problemin?
Këtu po flasim për vende që janë të gjitha nën mesataren botërore të IPK-së dhe në të njëjtën kohë qeveritë e tyre pretendojnë se janë të gatshme për negociata me BE-në, që është rajoni me më pak korrupsion në të gjithë botën. Që kjo të ndodhë, ata duhet të punojnë me shumë më tepër përkushtim dhe përtej asaj që kërkon procesi i antarësimt. Nëse ka përkushtim të vërtetë për të luftuar korrupsionin, atëherë është shumë e lehtë të sigurohet hapësirë për institucionet për të vepruar, për t’i dhënë publikut qasje në informata dhe për të vënë një kërkesë për partitë politike që te zbulojnë plotësisht informacionet për financat e tyre. Për fat të keq, ajo që shohim në rajon sjell më pak shpresë dhe më shumë arsye për shqetësim.
Lidija Prokic është konsulentë rajonale pranë Transparancy International in Berlin.
*) Numri më i lartë i pikëve në renditjen e Transparency International është 100 pikë, nëse në një vend nuk ka aspak korrupsion. Ndërsa me 0 pikë vlerësohet një vend, i cili është tërësisht i korruptuar. Ndër vendet me nivelin më të ultë të korrupsionit gjatë vitit 2017, sipas Transparency International, ishte Danimarka me 88 pikë, pasuar nga Zelanda e Re, Singapori, Suedia dhe Zvicra. Shikuar nga rajonet e ndryshme, gjendja më e mirë paraqitet në Evropën Perëndimore, me një mesatare prej 66 pikë, ku bien ne sy për keq vende si Kroacia (48), Rumania (47), Hungaria (46), Greqia (45) dhe Bullgaria (43). Nga Ballkani Perëndimor vetëm Bosnje-Hercegovina (38) ka mbetur në të njëjtin vend, Sllovenia (60), Kroacia (48) dhe Mali i Zi (45) kanë shënuar rënie me nga një pikë, ndërsa Shqipëria (36), Kosova (37) dhe Serbia (39) kanë shënuar rënie me nga dy pikë.
Fraksion.com