Ligji i ri i punësimit: Ja 13 kategoritë që do të kenë përparësi
Qeveria ‘Rama’ ka depozituar një projektligj të ri në Kuvendin e Shqipërisë, i cili përcakton rregullat e reja të punësimit dhe të kualifikimit profesional, ngritjen e institucioneve përkatëse, funksionimin e tyre dhe disa mekanizma, me qëllim rritjen e punësimit të shqiptarëve. Në projektligj janë shtuar grupet e veçanta, të cilat deri më sot kanë pasur më shumë vështirësi për t’u integruar në treguan e punës, në sektorin privat dhe publik. Këto grupe do të kenë përparësi për t’u punësuar.
Konkretisht, janë 13 kategori, ku përfshihen të rinjtë me moshë nën 29 vjeç, personat me moshë mbi 55 vjeç, jetimët, personat me aftësi të kufizuara, personat nga komuniteti rom dhe egjiptian, personat që kanë apo janë duke vuajtur dënimin me burgim, personat nga familjet me ndihmë ekonomike, punëkërkuesit e papunë afatgjatë, punëkërkuesit e kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni, të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin etj. Në projektligj parashikohet detyrimi i punëdhënësve përfitues të fondeve publike në formën e investimeve të Këshillit të Ministrave apo dhe koncesioneve në punë publike, për të punësuar punëkërkues të papunë të regjistruar në strukturat rajonale/vendore të punësimit, sipas rregullave që do të vendosen nga Këshilli i Ministrave.
Përparësia e personave me aftësi të kufizuara
Neni 21 i projektligjit i dedikohet personave me aftësi të kufizuara. Në pikën 1 është parashikuar se çdo punëdhënës që punëson më tepër se 49 punonjës është i detyruar të punësojë një person me aftësi të kufizuara, për çdo 50 punonjës të personelit të tij. Në pikën 2 parashikohet se punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave me aftësi të kufizuara, sipas pikës 1, të këtij neni, derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e gjysmë page minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar sipas këtij neni (aktualisht, paga minimale në shkallë vendi e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave është 26 000 lekë, pra kjo masë është 13 000 lekë). Procedura dhe mënyra e derdhjes së kontributit përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit. Një punëdhënës mund të punësojë një person me aftësi të kufizuara të thella në vend të pesë personave me aftësi të kufizuara të lehta.
Janë shtuar grupet e veçanta që do kenë përparësi
1. Të rinjtë me moshë nën 29 vjeç
2. Personat me moshë mbi 55 vjeç
3. Personat me aftësi të kufizuara
4. Jetimët
5. Kryefamiljarët e vetëm, me fëmijë në ngarkim
6. Personat nga komuniteti rom dhe egjiptian
7. Personat që kanë apo janë duke vuajtur dënimin me burgim;
8. Personat nga familje që përfitojnë nga programet e mbështetjes me të ardhura
9. Punëkërkuesit e papunë afatgjatë (të regjistruar si punëkërkues të papunë prej më shumë se një viti)
10. Punëkërkuesit e papunë, të kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni;
11. Të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin
12. Viktimat e trafikut e të dhunës me bazë gjinore dhe në familje./shqiptarja
Fraksion.com