Kosovë: Taksa e dialogu me Serbinë sjellin përplasje në koalicion
Brenda koalicionit qeverisës në Kosovë ka ndarje të thella sa i përket taksës doganore ndaj Serbisë dhe thirrjeve për pezullimin e saj. Kjo ka bërë që të lëkundet koalicioni, duke rrezikuar rënien e qeverisë.
Rrezikohet qeveria në Kosovë
Gjatë të enjtes kryeministri, Ramush Haradinaj paralajmëroi mundësinë që nëse vazhdojnë mospajtimet rreth taksës, mund të ketë vendime të tjera politike, duke aluduar në mundësinë e prishjes të koalicionit. “Ne jemi në procese reale politike, të gjitha janë të mundshme në javët dhe ditët që vijnë. Nëse mospajtimet vazhdojnë mund të rezultojnë edhe me vendime të tjera”, tha Ramush Haradinaj për mediat. Ai tha se është i interesuar për një marrëveshje me Serbinë por, siç tha “pa shkëmbim territoresh dhe pa asociacion të komunave me shumicë serbe”. “Ne nuk e kushtëzojmë dialogun me vendime të qeverisë. Jam për rikthim të dialogut por vendimet janë tonat. Dje kemi pasur takime me partnerët, kemi folur për sfidat, nuk jemi pa sfida. Kemi kërkesa për t’i dhënë shanse dialogut. Jam për dialogun, por, se kuptoj pse ndërlidhet taksa me dialogun. Është një kërkesë e vazhdueshme për tërheqje të taksës. Një marrëveshje mes dy vendeve mund t’i zgjidh të gjitha çështjet, dhe ekonominë e lirë”, këmbëngul Haradinaj.
Presion nga SHBA
Presioni amerikan ndaj Kosovës përkatësisht kryeministrit që qeveria e tij ta heqë taksën ndaj prodhimeve serbe në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut, ka vazhduar edhe në nivele shumë të larta të administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Mediet në Prishtinë shkruajnë se këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, John Bolton, ka pasur mbrëmë telefonata me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ramush Haradinaj vazhdon të mbajë qëndrimin e ngurtë, që siç thotë “taksa ndaj prodhimeve serbe mund të hiqet vetëm atëherë, kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Presidenti Thaçi nuk flet për taksën, por kërkon që Kosova të unifikojë qëndrimin dhe të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë.
Takimin me ambasadorin Kosnet, Presidenti Thaçi e quan “një takim normal”. “Takimet e tilla ndodhin shpesh, janë takime të rregullta edhe me ambasadorin e Amerikës po edhe me liderët politikë në përkushtimet që kemi në udhëheqje të shtetit, gjithmonë në konsultim të ngushtë me SHBA-në. Kosova është dhe do jetë fryt i Amerikës dhe s’ka kush që e prish këtë bashkëpunim me SHBA-në”, tha Presidenti Thaçi pas një ceremonie përkujtimore.
Propozim tjetër nga Kadri Veseli
Para disa ditësh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli propozoi që taksa ndaj prodhimeve serbe të pezullohet për 120 ditë, me shpresën që Serbia të reflektojë nga ana e saj për këtë periudhë në raport me Kosovën drejt arritjes së një marrëveshje finale. Kadri Veseli, tha në një televizion lokal që “SHBA janë garantuesit e pavarësisë së Kosovës dhe ai është në gjendje ta lërë politikën vetëm që Kosova të mos ketë marrëdhënie të këqija me SHBA-në”. SHBA e BE po këmbëngulin aktualisht që Kosova ta heq taksën ndaj mallrave të Serbisë. Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë i ngrirë për shkak të tensioneve që u krijuan pas lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, ndërsa, si kundërpërgjigje Kosova vendosi taksë 100% për mallrat e Serbisë.
Takim i partnerëve të koalicionit
Gjatë mbrëmjes së të mërkurës partnerët kryesorë të koalicionit, PDK, AAK, Nisma, AKR, zhvilluan një takim të gjatë. Zhvillimet e fundit politike në vend, funksionimi i institucioneve, përmbushja e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakoja e ligjeve përcjellëse, platforma e dialogut dhe në fund çështja e taksës ishin temat qendrore të takimit.
Liderët e partive politike pjesë e koalicionit qeverisës u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA dhe BE. “Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, u tha pas takimit në një komunikatë për medie.
Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë
Partitë politike opozitare nga ana e tyre kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Haradinaj dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. LDK dhe Vetëvendosja thonë se kjo qeveri nuk po mund ta kalojë e vetme Buxhetin, ka tensionuar raportet me faktorin ndërkombëtar dhe duke qenë që nuk i ka votat e mjaftueshme në parlament, atëherë, kjo tregon sipas opozitës që “qeveria Haradinaj, nuk e përfaqëson shumicën”. /DW
Fraksion.com