AktualitetBota+Të fundit

Izraeli bashkëpunon me Rusinë kundër Iranit

Moska dhe Teherani po largohen mes tyre, ndërkohë që po forcohet bashkëpunimi izraelito-rus. A do të rezultojë kjo me largimin e tërësishëm të trupave iraniane nga Siria?

    
Ministri izraelit për Pranimin e Migrantëve, Yoav Galant, ka bërë publike të shtunën e kaluar se Izraeli ka arritur një sukses: Izraeli ka një plan për dëbimin e trupave iraniane nga Siria dhe për këtë mund të llogarisë me mbështetjen e Rusisë. Bashkëpunimit të ngushtë mes Moskës dhe Teheranit po i vjen fundi, tha ai për mediat izraelite. “Për aq kohë sa rusët luftojnë grupet kryengritëse kundër Assadit, Iranin dhe hizbollahët i trajtojnë si partnerë”, tha Galant. Kjo situatë tani ka ndryshuar, që si pasojë ka afrimin e Moskës me Tel Avivin. “Izraeli dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta – që të dëbojnë iranianët nga Siria”, kumtoi ai. Izraeli ka bërë edhe një plan konkret, tha ai. Por pa dhënë detaje.

Partneriteti ruso-izraelit

Rusia ka qenë e përmbajtur në reagimet e para. Ditët e kaluara Moska ka kritikuar sulmet izraelite ndaj pozicioneve iraniane në Siri. “Praktika e sulmeve të njëanshme në rajone të ndryshme të një vendi sovran – në këtë rast bëhet fjalë për Sirinë – duhet të përjashtohet”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. “Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që Siria, e cila ka vuajtur me vite të tëra nga lufta, të shndërrohet në hapësirë të faturave gjeopolitike.”

Por vetëm pak më vonë, nga Moska erdhi një deklaratë tjetër, me të cilën theksohet partneriteti i Rusisë me Izraelin. “Ne nuk e nënvlerësojmë në asnjë mënyrë rëndësinë e masave që garantojnë sigurinë e Izraelit”, kumtoi zëvendësministri i Jashtëm rus Segei Ryabkov. “Izraelitët e dinë këtë, SHBA po ashtu, të gjithë e dinë, përfshirë këtu edhe Iranin, Turqinë dhe qeverinë në Damask. Ky është një prej prioriteteve kryesore të Moskës.”

Së bashku kundër Iranit

Afrimi politik është arritur pas kontakteve intensive diplomatike të viteve të kaluara. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu është takuar edhe me presidentin rus Vladimir Putin, herën e fundit në korrik të vitit të kaluar. Interes i përbashkët i të dy vendeve është që Irani të mbetet larg Sirisë. Izraeli e sheh si kërcënim këtë shtet. Ndërsa Rusia e sheh prezencën iraniane në Siri si një faktor destabilizimi, në përpjekjet për vendosjen e armëpushimit atje.

Largimi politik mes Moskës dhe Teheranit ka rezultuar me konflikte të vogla mes palëve. Revista gjermane “Der Spiegel” shkruan se mes trupave të Assadit dhe atyre iraniane ka pasur konflikte në rrafshnaltën Al-Ghab, në veriperëndim të provincës Hama. Thuhet se gjatë këtyre konflikteve kanë vdekur rreth 200 persona. Por Rami Abdulrahman, drejtor i një organizate për të drejtat e njeriut në Siri, me seli në Londër, mendon se janë të tepruara pohimet se në Siri ka konflikte mes trupave siriane dhe iraniane. Rusia po përpiqet të kufizojë influencën iraniane në Siri, por luftime nuk ka pasur. Megjithatë mendohet se Irani ka në listat për pagesë rreth 3000 mercenarë, që luftojnë në Siri, thotë Abdulrahman në bisedë me Deutsche Wellen.

As mediat iraniane nuk kanë njoftuar për ndonjë konflikt të armatosur. Por iranianët kanë kritikuar Rusinë për shkak të mosaktivizimit të sistemeve të mbrojtjes raketore S-300, në kohën e sulmeve ajrore izraelite. Rami Abdulrahman megjithatë nuk beson se Rusia është e interesuar të sundojë në Siri, pa ndihmën e Iranit.

Pafuqia e Assadit

Regjimi i Assadit më nuk është fuqiplotë në vend. Në vend edhe më tutje ka shumë hapësira të kontrolluara nga milicët iranianë apo hizbollahët. Në përgjithësi është shumë e vështirë që Irani në tërësi të largohet nga Siria. Prezenca iraniane shërben atje edhe për fuqizimin e raporteve ekonomike mes këtyre dy vendeve. Izraeli po përpiqet që iranianët të mbeten sa më larg kufijve të tij. Për këtë ka mbështetjen edhe të Moskës zyrtare. Rusia e ka detyruar Iranin gjatë vitit të kaluar që të largohet të paktën 85 kilometra nga kufiri i Izraelit, shpjegoi Ryabkov. Ndërsa prezenca iraniane në Siri po has në rezistencë gjithnjë e më të madhe./Kersten Knipp, DW

 

Fraksion.com