Gallup: “Popullariteti i politikanëve në pikiatë të pashembullt”
Në të gjithë botën po rritet pakënaqësia me liderët e politikës. Këtë e konfirmon një studim i Shoqatës Ndërkombëtare Gallup. Po shtohen shenjat e destabilizimit, thotë sociologu, Kancho Stachev.
Shoqata Gallup International (GIA), një bashkim ndërkombëtar i instituteve të studimit të opinionit publik nxjerr çdo vit një listë të popullaritetit në shkallë botërore të krerëve të ndryshëm të qeverive dhe shteteve. Për studimin aktual u pyetën nga tetori 2018-janar 2019 rreth 47.000 vetë në 45 vende.
Deutsche Welle: Zoti Steychev, cili rezultat i këtij studimi ju ka habitur më shumë?
Kancho Staychev: Është e habitshme që për herë të parë ne vërejmë një tendencë rënieje në vlerësimin e të gjithë politikanëve drejtues në botë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Zakonisht politikanët lëvizin në vlerësime herë më lart apo herë më poshtë, por që të gjithë ata bashkë të humbasin shumë popullaritet krahasuar me vitin e kaluar, kjo është e pashembullt. Po ndodh diçka në botë. Nuk është thjesht fjala për atë hendekun e njohur mes elitave dhe masave, mes politikanëve drejtues dhe zgjedhësve. Duket se ka arsye më të thella. Bota, në të cilën ne jetojmë po përjeton një fazë transformimi.
Bien edhe vlerat e politikanëve popullorë
A mund të lidhet kjo tendencë me problemet e brendshme politike apo është një humbje themelore e besimit tek politika?
Më shumë kjo e fundit. Po, vërtet që problemet kombëtare reflektohen në imazhin e secilit politikan, por këtu po flasim për të dhëna globale. Natyrisht e dimë, që vlerat e popullaritetit të presidentit Macron po bien. Por ato ulen në të gjithë botën. Kjo vlen edhe për politikanë si Merkel, që është vërtet më e preferuara, jo vetëm në Europë, por edhe në botë, por që e ka humbur masivisht mbështetjen. Nuk bëhet fjalë vetëm për probleme të brendshme politike, por për atmosferën globale. Vitin e kaluar kemi parë një konfrontim në rritje në nivel ndërkombëtar, që reflektohet në vlerësimin e politikanëve.
Sipas mendimit tim, problemi kryesor është paaftësia e krerëve të qeverive dhe shteteve për të zgjidhur problemet, me të cilat po përballet bota e sotme. Rendi botëror që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore nuk duket më i palëkundur. Ne as nuk jetojmë në një situatë si në kohën e Luftës së Ftohtë me dy kampe të mëdha, as nuk kemi një situatë si ajo që zgjati 10 apo 15 vjet, ku ka pasur vetëm një superfuqi, SHBA. Jetojmë në një botë multipolare, dhe panorama e plotë po bëhet gjithnjë e më komplikuar. Veçanërisht e komplikuar për shkak të problemeve që kemi në Europë.
Humbje e përgjithshme e besimit në Europë
Si e influencojnë popullariterin e politikanëve krizat e brendshme politike si kaosi i Brexit-it në parlamentin britanik apo protestat e “jelekëve të verdhë” në Francë?
Nuk ka një përgjigje parimore për këtë, por kjo është një pikë interesante. Le të flasim për Brexit. Ka rajone dhe vende, ku popullariteti i Theresa Mayt është rritur. Kjo do të thotë, se perspektiva jonë për zhvillimet – pra që Brexit nuk është gjë e mirë për Europën- nuk ndahet nga të gjithë në botë. Në shumë rajone të tjera Brexit shihet më pozitivisht.
Kancelarja Merkel e ka spostuar presidentin Macron nga renditja botërore. Nga studimi shihet se Merkel është më e preferuar në Afrikë, në vende jo anëtare të BE-së, Kanada. A është ky një fenomen i ri?
Kjo është një tendencë e re nga viti i kaluar që ka të bëjë në masë të madhe me zhvillimet në BE. Vitin e kaluar kishim fërkime me vendet e të ashtuquajturit Grupi i Vishegradit (Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria), si edhe me Italinë. Kemi parë diferenca serioze për projekte e çështje të ndryshme me Gjermanisë dhe vendeve balltike. Kjo nuk është një listë e plotë e problemeve, por humbja e besimit tek politikanët europianë reflektohet në vlerat e popullaritetit të secilit politikan europian.
Konfrontimi i të mëdhenjve ngjall shqetësime
Presidenti Donald Trump zë sërish vendin e fundit në renditje. A ka ndryshuar opinioni për të në rajone të tjera?
Interesante është se në Rusi po bie pranueshmëria për të. Para një viti ai kishte një imazh më të mirë në opinionin publik në Rusi. Tani 70% e rusëve kanë një mendim negativ për të. E njëjta gjë vlen edhe për imazhin e Putinit mes amerikanëve. Po 70% kanë një imazh negativ për të. Ky është një problem i madh. Do të thotë, se konfrontimi mes SHBA, Rusisë e Kinës ka efekt në perceptimin e masave.
Kjo nuk është e mirë për stabilitetin botëror, sepse popullsitë e këtyre superfuqive kanë një imazh negativ për kundërshtarin. Madje unë e quaj këtë shumë të rrezikshme, sepse nuk flitet më për politikanë që grinden, por se ky konflikt shpërhapet mes njerëzve në të dyja anët e oqeanit. SHBA e Rusia janë kombe të mëdha dhe vlerësimi kundrejt krerëve të shteteve të vendit respektiv është diçka që duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Sociologu Kancho Stoychev është president i Bordit të Gallup International me qendër në Zyrih.
Bisedën e zhvilloi Helena Kaschel/DW
Fraksion.com