AktualitetBota+NATO/BETë fundit

Brexit: Sfidat për daljen nga Bashkimi Evropian

Negociatorët britanikë dhe ata të Bashkimit Evropian shprehën pikëpamje të ndryshme të mërkurën mbi gjendjen e daljes së Britanisë nga B.E., pasi ligjvënësit britanikë i dhanë kryeministres Theresa May, atë që ajo e quajti një “mandat”, për të kërkuar ndryshime në marrëveshjen e daljes nga Bashkimi Evropian.

Përmes një sërë votimesh në parlament të martën, partia e kryeministres arriti të sigurojë miratimin e planit të saj për të kërkuar “marrëveshje alternative” për çështjen e kufirit irlandez në kuadër të shkëputjes nga B.E.-ja.

Ministri britanik për negocimin e marrëveshjes së shkëputjes, të njohur si “Brexit”, Stephen Barclay, i tha radios BBC në një intervistë të mërkurën, se këto ndryshime do të jenë subjekt i negociatave në ditët e ardhshme.

Por nga ana e B.E.-së, krye-negociatori, Michel Barnier tha se pozicioni i bllokut “është shumë i qartë”.

“E vetmja gjë që unë dua të bëj, është të konfirmoj se institucionet e B.E.-së mbeten të bashkuara dhe ne qëndrojmë pas marrëveshjes që kemi negociuar me Britaninë”, u tha Barnier gazetarëve të mërkurën në Bruksel.

Ai tha se presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker do ta trajtojë këtë çështje më vonë gjatë ditës.

Dy javë më pare, Dhoma e Komunave e parlamentit britanik, e hodhi poshtë projekt-marrëveshjen e kryeministres për daljen nga B.E.-ja, kryesisht për shkak të dispozitës së kufirit irlandez, sipas të cilës kufiri Irlandë – Irlandë e Veriut nuk do të përfshiheshin në Brexit, derisa Britania dhe B.E.-ja të negociojnë një marrëveshje të re tregtare, pas shkëputjes së Britanisë.

Kjo dispozitë do ta mbante Britaninë në një bashkim doganor me B.E.-në për të lejuar një lëvizje të lirë të mallrave midis Irlandës, që është anëtare e B.E.-së dhe Irlandës së Veriut, që është pjesë e Britanisë.

Ata që mbështesin idenë e Brexit thonë se kjo do të thotë se Britania do të vazhdojë t’i nënshtrohet rregullave të

B.E.-së, ndërkohë që kjo ishte pikërisht arsyeja pse ata duan që Britania të largohet nga B.E.-ja në radhë të parë.

Pa një marrëveshje të tillë, Britania përballet me një largim “pa marrëveshje”.

Drejtori amerikan i Inteligjencës Kombëtare Dan Coats i tha një komisioni të Kongresit në Uashington të martën se një largim pa marrëveshje, “do të shkaktonte ndërprerje ekonomike, që mund të dobësonin ndjeshëm Britaninë dhe Evropën”.

Udhëheqësit e biznesit janë të shqetësuar se një Brexit pa marrëveshje do të çonte në kaos ekonomik.

Udhëheqësi i opozitës i Partisë Laboriste britanike, Jeremy Corbyn, tha se beson se qeveria do të duhet të vonojë largimin e saj nga B.E.-ja për tre muaj, për të lejuar më shumë negociata.

 

Fraksion.com