AktualitetBota+Të fundit

Whitaker: Së shpjeti presim raportin e Prokurorit Mueller

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Matthew Whitaker thotë se beson që Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller do ta përmbyllë së shpejti hetimin e tij mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës dhe mbi dyshimet për bashkëpunim të fshehtë mes fushatës Trump dhe rusëve. Hetimi ka rezultuar deri tani në ngritjen e akuzave ose pranimin e fajësisë nga 34 individë dhe tre kompani.

“Mendoj se hetimi është pranë përfundimit dhe shpresoj se do të marrim nga zoti Mueller raportin sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha zoti Whitaker.

Deri tani hetimet e Prokurorit të Posaçëm, Mueller kanë rezultuar në ngritjen e akuzave ose pranimin e fajësisë nga 34 individë dhe tre kompani.
Roger Stone, ish-këshilltar i fushatës së Trump, është rasti i fundit ndër bashkëpunëtorët e afërt të presidentit që akuzohet për vepra penale. Ai u arrestua javën e kaluar nën akuzat për deklarata të rreme para Kongresit, pengim të drejtësisë dhe presion ndaj një dëshmitari.

Roger Stone dyshohet si hallkë lidhëse mes fushatës Trump dhe portalit Wikileaks që publikoi emailet dhe informacione të tjera të dëmshme për demokratët gjatë zgjedhjeve të 2016-ës.

Roger Stone ka qenë nën hetime për rolin e tij gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump, kur pat lënë të kuptohet se kishte informata të grumbulluara nga hakerë, të cilat mund t’i vinin në pozitë të vështirë demokratët, përfshirë rivalen e zotit Trump, Hillary Clinton. Ai e pat sulmuar haptazi procesin hetimor lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhje, duke e quajtur një teori konspiracioni e demokratëve.

Stone është figura e gjashtë nga rrethi i ngushtë i presidentit Trump që akuzohet për vepra penale si rezultat i hetimit të Prokurorit Mueller. Pesë të tjerë, ndër ta ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump Paul Manafort, ndihmësi i fushatës Rick Gates, këshilltari i politikës së jashtme George Papadopoulos, këshilltari për sigurinë kombëtare Michael Flynn dhe ish-avokati personal Michael Cohen – janë shpallur fajtorë ose janë dënuar për vepra të ndryshme./VOA

 

Fraksion.com