Qylsat e Lulit!
Nga Enkel Demi
Asnjëherë nuk e kanë marrë më shumë seriozisht se kaq Lulzim Bashën, sa në këtë kohë, ku veç të tjerash ai lajmëron një demonstratë në mes të shkurtit, e cila është e veshur me një tis të mistershëm se si do ta ketë fundin. Sali Berisha thotë që rrethimi i qeverisë me një zinxhir njerëzor është një zgjidhje. Dikush tjetër po parasheh një Çadër 2, kurse më trimat janë ata që arrijnë deri te rezistenca popullore në rrugë si ato të Bukureshtit.
Vetë Lulzim Basha po nis një rrugëtim nëpër rrethe, i cili më shumë se sa do të frymëzojë demokratët për goditjen vrastare të klikës, do të shërbejë: e para, për të frymëzuar Lulin vetë, për ta “droguar” me adrenalinën e përmbysjes. E dyta, e ndoshta më e rëndësishmja, për të gjetur atje, jashtë Tiranës formulën e rezistencës, e cila duhet të sjellë rrëzimin e qeverisë.
Këtë e ka kuptuar më mirë se kushdo vetë kryeministri, i cili po mundohet me aq sa ka në dorë makina e tij propagandistike të demotivojë çdo lëvizje popullore, qoftë kjo dhe me përmasa të vogla. Qeveria e tij është kaq e brishtë sot, sa dhe një puhizë e lehtë kishte për ta hedhur. Propaganda i ngjan asaj këngës së fëmijës: “Një elefant në një fije merimange kolovitet, por kur e pa që s’u këput hypi një tjetër elefant…”.
Ai e kupton që tashmë me “tërhiq e mos e këput” nuk e shtyn dot, ndaj krahas demoralizimit të gjindjes së pakënaqur, ka rihedhur në treg ofertën e bashkëqeverisjes, madje të ringjalljes së Paktit famëkeq të 18 Majit. E gjithë aradha e propagandistëve, komentatorëve, kolaboracionistëve të pushtetit të tij po ngulmojnë se Luli po na bën presion, pasi do një tjetër marrëveshje si ajo lëtyra e Çadrës 1. Në fakt, është Edi Rama që e do tasin e ringrohur të çorbës dhe kjo nuk ka nevojë për parashikimet e Nostradamusit që të vihet re.
Por, në këtë fushatë të pëgërë, qeveria ka jo dhe aq çuditërisht mbështetjen e qylaxhinjve në opozitë, të cilët janë sot ligjvënës, “disidentë”, kryetar-fantazëm të partive-fantazëm, por me mandat të vërtetë në Kuvend, pasi ishin ata dhe vetëm ata që përfituan nga Çadra 1 duke u futur në listën e Partisë Demokratike. Nga një teke raki me qofte te një bisht prasi me gjizë, të dalin në televizor dhe të flasin për “frikën” që ka ky soj se mos i merr në qafë Luli me një marrëveshje të dytë.
Me thënë të drejtën Lulit kaq mirë ia bëjnë, sa nuk e kanë idenë, pasi ishte ai që e vendosi hajvanin para kalit, vendosi këta pupacë politikë para demokratëve. Madje, sot u merr mend, nëse duhet t’i djegë mandatet, kurse ata në sallat e mbledhjeve opozitare shtrihen sa gjatë gjerë t’i mbrojnë mandatet me trup, por kur dalin në media bëjnë si Katallanët e opozitës, meqë nuk po i lë Luli t’ia vënë shkrepsen pushtetit.
Nejse, këto janë mëkatet e Lulzim Bashës, i cili do të vijë në pushtet, vetëm në ditën kur të kuptojë se aspirata e përmbysjes është tek demokratët dhe jo tek ata kokrrat që i japin mend me gushët e varura nga yndyra e qylit. Duhet uruar ta kuptojë, sepse Edi Rama, jo vetëm e ka marrë vesh, por ka nisur dhe punën për të çminuar fushën, nga e cila do s’do duhet të kalojë.
Fraksion.com