AktualitetBota+Të fundit

Fjalimi i presidentit Trump për gjendjen e vendit – me 5 shkurt

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i dërgoi ftesë presidentit Donald Trump, që të mbajë fjalimin mbi gjendjen e vendit me 5 shkurt.

Në një letër të zonjës Pelosi, thuhet se ajo dhe presidenti Trump kanë biseduar të hënën dhe janë pajtuar për datën e re të fjalimit.

“Kur ju shkrova më 23 janar, thashë se duhet të punojmë së bashku për të gjetur një datë me pajtim të ndërsjellë për fjalimin mbi gjendjen e vendit, kur të rihapet qeveria”, shkroi ajo. “Në takimin e sotëm ne u pajtuam për datën 5 shkurt”.

View image on Twitter

 

Presidenti Trump, shkroi në një letër drejtuar zonjës Pelosi se do t’i përgjigjet ftesës. “Kemi rrëfime të mrekullueshme për të treguar dhe qëllime të mëdha për të arritur”, shkroi ai.

Presidenti Trump dhe Kongresi u pajtuan të premten që të rihapin qevrinë, që ishte edhe kushti i vënë nga zonja Pelosi për të lejuar mbajtjen e fjalimit të presidentit Trump.

Fjalimi duhej të mbahej më 29 janar, por zonja Pelosi nuk kishte pranuar që kjo të ndodhte në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë.

“Do të ishte diçka tepër e trishtueshme për vendin nëse fjalimi për gjendjen e vendit nuk do të mbahej në kohën, orarin dhe sidomos në vendin e duhur,” shkruante presidenti Trump në një letër drejtuar zonjës Pelosi, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë. Por më vonë ai tha se do ta mbajë fjalimin kur të përfundojë mbyllja e qeverisë.

Fjalimi mbi gjendjen e vendit, është një fjalim vjetor që presidenti paraqet para Kongresit por edhe publikut amerikan dhe është një nga përgjegjësitë që presidenti Trump duhet ta përmbushë sipas kushtetutës amerikane.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati duhet të miratojnë një rezolutë që e fton zyrtarisht presidentin Trump për të folur në një sesion të përbashkët të Kongresit./VOA

 

Fraksion.com