AktualitetBota+Të fundit

Akar: I vetmi objektiv i ushtrisë turke janë terroristët

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se objektivi i vetëm i Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK) janë terroristët.

Akar porositi se përmendja e kurdëve apo arabëve në kontekstin e operacionit të paralajmëruar ushtarak të Turqisë në veri të Sirisë, nuk ka asnjë kuptim.

“Caku i vetëm i forcave të armatosura janë terroristët”, tha Akar në një takim me punëtorët e një fabrike teknologjike në Eskişehir.

Turqia do të ndërmarrë veprime të reja kundër terroristëve përtej kufirit në Siri “kur të vijë koha”, tha Akar.

“Kur vjen koha, do të ndërmerren veprimet e nevojshme si në Munbixh,  ashtu edhe në lindje të Eufratit”, tha ministri turk i Mbrojtjes, duke iu referuar operacionit kundërterrorist të paralajmëruar nga zyrtarët turq.

Që nga viti 2016, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në Sirinë veriperëndimore kanë çliruar rajonin, përfshirë qytetet Al-Bab, Afrin dhe Azez, nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke bërë të mundur që sirianët e larguar nga dhuna të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30 vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, ndërsa YPG/PYD është dega e saj siriane.

Akar tha gjithashtu se Turqia ka mirëpritur reagimet “në kohë” të qeverisë rajonale kurde dhe masat kundër sulmit ndaj bazës turke në Irak në fundjavë.

Të shtunën, Ministria turke e Mbrojtjes tha se një bazë e forcave turke në Irakun e veriut u sulmua pas provokimit nga organizata terroriste PKK./AA

 

Fraksion.com