AktualitetTë fundit

Tension në fakultetin e Juridikut, ambulanca shoqëron një studente

Paraditen e sotme u shënua tension në Fakultetin e Juridikut mes studentëve që duan të nisin mësimin dhe atyre që vijojnë bojkotin. Studentët që bojkotojnë kanë mbyllur derën dhe nuk lejojnë studentët e tjerë që duan të zhvillojnë mësim të futen në auditore.

Grupi i studentëve që kanë tentuar të hyjnë në fakultet dhe ndodheshin në oborr kanë debatuar me studentët që vijojnë bojkotin brenda dhe mbajnë dyert të mbyllur. Ata që ndodheshin brenda kanë dalë në ballkon duke akuzuar studentët që duan të vijojnë mësimin se janë të FRESSH.

Pak më parë (ora 11:00) u thye një xham në katin e parë.

Studenti i ngujuar-  Një student pjesë e grupit të studentëve që ndodhen brenda ambienteve të fakultetit të Juridikut ku vijojnë rezistencën në një intervistë telefonike për Ora News i  bëri thirrje studentëve që duan të nisin mësimin të bashkohen me ta.

“Studentët që janë jashtë duhet ta kuptojnë se nëse bëhemi bashkë fitojmë, prej gati 16 ditësh jemi këtu për të gjithë jo për veten tonë. Të bashkohemi të rrëzojmë ligjin dhe të plotësohen 8 kërkesat tona dhe të kthehemi bashkë.  Asnjë pikë nuk është plotësuar.” 

Ata gjithashtu thonë se distancohen nga çdo akt dhune dhe akuzojnë studentët që janë jashtë se duan të nxisin tensione.

Studentja qe do mesim- Një studente që ndodhet jashtë fakultetit të Juridikut dhe është pjesë e atyre që duan të nisin mësimin thotë se fakulteti po mbahet peng nga një grup i vogël.

“Ata po prishin ambientet. Ne jemi shumë që duam të bëjmë mësimin, shumica e  studentëve është pro mësimit. Ata që janë brenda janë vetëm 50 veta” tha studentja në një prononcim për gazetaren e Ora News, Xhensila Demollaj.

Por kur gazetarja e pyeti nëse ishin plotësuar kërkesat studentja u zu ngushtë.

Ambulanca shoqeron nje studente- Rreth orës 12:00 një studente e ngujuar në ambientet e fakultetit të Juridikut është ndjerë keq dhe ambulanca po e shoqëron drejt spitalit./oranews

 

Fraksion.com