AktualitetBota+Të funditTeknologji

Twitteri dhe lajmet e rreme

Një studim i ri arrin në përfundimin se pjesa dërrmuese e lajmeve të rreme në Tweeter gjatë vitit 2016 u përhap nga një numër tepër i vogël përdoruesish. Studimi konludon gjithashtu se konservatorët dhe të moshuarit ishin ata që ndanë më shumë informacione të rreme.

Shkencëtarët analizuan më shumë se 16,000 llogari Twitteri në SHBA dhe zbuluan se vetëm 16 prej tyre, ose më pak se 0,01 për qind, ishin përhapësit e rreth 80 për qind të keqinformimit të maskuar si lajm, sipas një studimi të publikuar të enjten në revistën Science.

Rreth 99 për qind e përdoruesve të Twitterit nuk shpërndanë thuajse asnjë informacion të rremë në pjesën më të nxehtë të vitit zgjedhor, tha David Lazer, njëri ndër autorët e studimit, profesor i politikës dhe shkencave kompjuterike në Northeastern University.

Përhapja e informacioneve të rreme, tha ai, ndodh në një cep mjaft të vogël të Twitterit.

Të paktë nuk janë vetëm njerëzit që e përhapin këtë lloj informacioni, por edhe ata që e konsumojnë atë, pavarësisht faktit se ekziston një përpjekje e organizuar për ta futur atë në sistem, tha studiuesi Lazer.