Shqiptarët heqin dorë nga cigarja
Pirja e duhanit dhe cigareve ka rënë nga 43% e popullsisë së rritur në 2008 në 35% më 2018 në meshkujt e moshës 15-49 vjeç, teksa është rritur me 1 pikë përqindje pirja e cigares tek femrat për të njëjtën periudhë, sipas një anketë të INSTAT të zhvilluar më 2018 në lidhje me faktorët e riskut që cenojnë shëndetin e popullatës.
Duhanpirësit u reduktuan me rreth 7 për qind përgjatë një dekade teksa qeveria shtrëngoi masat e kundër pirjes së duhanit, kryesisht duke mos lejuar konsumin e tij në ambientet kolektive dhe të mbyllura. Gjithashtu u rrit edhe niveli i taksimit. Rritja e akcizës për disa vite rresht ndaj cigareve, rriti çmimin tyre, duke ndikuar edhe në frenimin e konsumit.
Mirëpo siç shihet nga të dhënat zyrtare, importet e cigareve janë ulur disa herë më shumë se numri i duhanpirësve.
Gjatë periudhës 2010-2017, importi i cigareve ra me 31 për qind, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ndërsa numri duhanpirësve është ulur vetëm më 7%, duke sinjalizuar kështu zhvendosjen e konsumit drejt duhanit të dredhur.
Rezultatet e anketës tregojnë se pirja e duhanit e cigareve është më e zakonshme në moshën 30-34 vjeç, meshkujt (44%) dhe gratë (7%).
Cigarja pihet më shumë në zonat urbane (38% burrat dhe 7% gratë) se në zonat rurale (32% burrat dhe 2% gratë.
Mes meshkujve, përqindja e duhanpirësve zvogëlohet ndjeshëm me nivelin arsimor. 58% e personave me arsim fillor pinë cigare, ndërsa vetëm 31% e personave me universitet tymosin cigare. Ky krahasim nuk vlen për gratë, pasi pirja e duhanit nis e rritet me nivelin arsimor.
Në mesin e meshkujve përqindja e duhanpirësve ndryshon gjerësisht në prefektura, nga 23% në Korçë dhe 26% në Kukës, në 42% në Tiranë dhe 45% në Vlorë.
Në mesin e grave, përqindja e duhanpirësve rritet me pasurinë e familjes, nga 3% në kuintilin më te ulët në 8% në atë më të lartë, por ky modeli nuk vlen për meshkujt.
Duhanpirësit meshkuj kanë tendencë të pinë duhan më tepër se femrat. Rreth 23% e duhanpirëseve meshkuj të moshës 15-49 vjeç raportojnë se pinë më shumë se 25 cigare në ditë, krahasuar me vetëm 3% të duhanpirësve femra.
Pirja e duhanit e cigareve është një nga burimet më të mëdha të sëmundshmërisë së parandalueshme dhe vdekshmërisë së parakohshme. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes qe shkaktohet nga pirja e duhanit./Monitor
nitor.al/