Sherr në Parlamentin grek; Sot votimi për marrëveshjen me Shkupin
Parlamenti i Greqisë e shtyu për ditën e sotme në orën 14:30 votimin e marrëveshjes së Prespës që njeh vendin fqinj si Maqedonia e Veriut.
Edhe në ditën e dytë debati vijoi i ashpër mes deputetëve, ku nuk munguan as përplasjet apo akuzat për tradhti kombëtare.
Deputetët e opozitës konservatore akuzojnë qeverinë se ka shitur sovranitetin e vendit, ndërsa thonë se marrëveshja është shumë e dëmshme për interesat kombëtare greke.
Në anën tjetër, qeveria e mbron atë duke publikuar detaje dhe video që sqarojne se Marrëveshja e Prespës mbyll përgjithmonë zërat irredentiste në vendin fqinj.
Ndërkaq, vazhduan protestat jashtë Parlamentit në sheshin “Sintagma” në Athinë, si dhe në qendër të Selanikut. Policia bllokoi me autobusët e saj rrugët që çojnë drejt Parlamentit si dhe shoqëroi shumë persona me sende të dyshimta që qarkullonin në rrugët përreth, si një masë parandaluese ndaj episodeve të dhunës. Gjithashtu, i mbyllur mbeti edhe stacioni i metrosë që kalon nën sheshin “Sintagma” poshtë Parlamentit dhe asnjë tren nuk ndalonte atje.
Megjithatë, rreth orës 22:00, një grup personash sulmuan forcat policore në rrugën “Amalia”, ndërsa këto të fundit u përgjigjën me gaz lotsjellës.
Fraksion.com