AktualitetKosovaTë fundit

SHBA, Kosovës: Hiqni tarifat ose përballuni me pasojat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të premten pezullimin e menjëhershëm të tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se veprimet që minojnë këto bisedime, pengesat nga anash dhe refuzimi për ta pezulluar këtë tarifë shkojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke tërhequr vërejtjen për pasoja të mundshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, në rast se ndërmerren veprime të ngjashme.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dobishmëri të ndërsjellë është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara, thuhet në komunikatë duke rikujtuar letrën që presidenti amerikan Donald Trump, i kishte dërguar në fund të vitit të kaluar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në Prishtinë se për shkak të letrës së presidentit Trump Kosova ka hequr dorë nga masat e mëtejshme të parapara ndaj Serbisë.

“Nuk e kemi në plan mos ta respektojmë letrën e presidentit Trump, pra ne jemi ndalë në veprime që kanë qenë të planifikuara të pasojnë, në respekt pikërisht të aleatit tonë, Amerikës, e letrës së presidentit Trump, t’i japim një mundësi procesit. Ne e shohim që Serbia nuk është ndalur, ajo po e rritë agresivitetin e vet dhe duhet ta vlerësojmë një herë se si të veprohet më tutje”, tha kryeminstri Haradinaj.

Ai tha se tarifa për mallrat serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa Serbia të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.

“Ne nuk kemi urrejtje ndaj asnjë populli në botë mirëpo do ta mbrojmë veten. Ose njihemi në mënyrë reciproke, ose siç kam thënë edhe një ditë në Pejë, nëse Vuqiqi e Daqiqi thonë “nikada” në gjuhën e tyre, “nikada nuk ju njohim” pra “kurrë nuk ju njohim”, çka po presin atëherë prej neve? Ne të themi po e largojmë tarifën? Jo, ata nikada – ne kurrë, pra nuk e largojmë kurrë”, tha ai.

Por, mbajtja në fuqi e tarifave dhe thirrjet amerikane për anulimin e tyre kanë nxitur qëndrime të ndryshme në Kosovë. Shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, tha sot se këmbëngulja e qeverisë për këtë tarifë është i pakuptimtë.

“Sa më shumë që përkeqësohet situata në Kosovë duke u paralizuar institucionet e Kosovës një nga një, aq më shumë qeveria insiston në taksën prej 100 për qind. Përveç taksës kjo qeveri nuk ka asgjë tjetër për të ju ofruar qytetarëve”, tha zoti Hoti.

“Nuk i kuptoj disa që po mendojnë që i hyjnë në hatër Amerikës duke i thënë qeverisë largoje taksën, besoni që janë gabim se nuk është ashtu. Ata mund t’i ndihmojnë Amerikës e të bëhen miq të tyre e ta dëgjojnë Amerikën, sepse neve po na thonë dëgjojeni mikun e madh, e pse nuk po e dëgjoni pra ju e të vini të uleni në tavolinë”, tha kryeministri Haradinaj.

Tarifa ndaj mallrave serbe, e vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, nxiti edhe reagimin e Bashkimit Evropian i cili krahas kërkesës për heqjen e saj, i dërgoi edhe një propozim Prishtinës nëpërmjet komisionarit për zgjerim Johanes Hahn, për një marrëveshje që përfshin të gjitha aspektet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Por , kryeministri Haradinaj tha se një marrëveshje e tillë do të ketë kuptim vetëm bashkë me marrëveshjen për njohjen e Kosovës.

Beogradi ndërkaq kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave duke bërë që procesi i bisedimeve të vazhdojë të mbetet i pezulluar me gjithë thirrjet evropiane dhe amerikane për një marrëveshje sa më të shpejtë që u hap rrugën të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane./VOA

 

Fraksion.com