Kush është Juan Guaidó?
Deri para dokohe Guaidonë nuk njihte gati askush. Rastësia e bëri kryetar të parlamentit e krejt papritur ai e shpalli veten president. SHBA-të, e bashkë me të edhe Kosova e Shqipëria, ishin të parët që e njohën.
Askush nuk e kishte sfiduar aq drejtpërdrejt udhëheqësin autokratik të Venezuelës, Nicolás Maduro, sa Juan Guaidó, shkruan DW.
Në një tubim në kryeqytetin e vendit, Karakas, ai e shpalli veten president të përkohshëm. Një hap i papritur ky për vëzhguesit, sepse deri më 4 janar, nuk kishte asnjë shenjë që fliste se inxhinieri 35-vjeçar do të ishte në gjendje të ndërmerrte një hap të tillë. Atë ditë, parlamenti i zgjedhur në mënyrë demokratike e votoi atë për kryetar.
Guaidó është anëtar i partisë opozitare “Voluntad Popular”, e cila u themelua në vitin 2009 me në krye karizmatikun Leopoldo López. López ka kohë që është mishërim i opozitës në Venezuelë, edhe pse qysh nga protestat masive e me viktima të vitit 2014, ai është mbajtur në burgje ose arrest shtëpie. Partia e tij ka vetëm 14 vende në parlament. Edhe pse partia është anëtare e Internacionales Socialiste, edhe López dhe Guaidó konsiderohen politikanë të qendrës.
Nga sfondi në radhën e parë
Ashtu si López, edhe Juan Guaidó është një ndër themeluesit e VP-së. Ai e kishte nisur karrierën politike si lider i studentëve, në Universitetin Katolik, Andrés Bello, në Karakas. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, më 6 dhjetor 2015, opozita fitoi shumicën në parlament dhe Guaidó mori një vend si deputet.
Sipas marrëveshjes së bërë ndërmjet partive të opozitës, MUD, çdo vit e ka radhën një parti të caktojë kryetarin e parlamentit. Pra, ishte një rastësi e plotë që më 5 janar këtë post e mori në dorë, Juan Guaidó, thotë Hector Briceño, sociolog venezuelas në Universitetin e Rostock-ut: “Në hierarkinë e partisë së tij ka shumë figura të rangut të lartë, por ato nuk ishin në gjendje të merrnin këtë post. Kreu i partisë, Leopoldo Lopez, është në arrest shtëpie. Freddy Guevara, ish-nënkryetar i Parlamentit, është larguar nga vendi në fillim të nëntorit dhe jeton në ekzil në Kil, pasi Gjykata e Lartë e kontrolluar nga regjimi i Maduros ia hoqi imunitetin dhe e akuzoi, ndër të tjera, edhe për nxitje të turmave për rebelim. Dhe Carlos Vecchio, ish-koordinator i partive politike, zgjodhi mërgimin pasi e bënë përgjegjës për të vrarët e demonstratave masive në vitin 2014..
Ndërmjetës i opozitës së përçarë?
Kjo gjakhumbje në krye të të gjitha partive të opozitës, i hapi rrugën Guaidosë që të vinte në krye të parlamentit. Por Guaidó ka edhe cilësitë e veta, si lider, i thotë DW-së sociologu Briceño: “Ai nuk konsiderohet një figurë dominuese dhe mund të luajë rolin e një ndërmjetësi. Ai është pragmatik dhe i vendosur për të bashkuar rrymat e ndryshme brenda opozitës”. Përveç kësaj, mosha e re e tij ngjall shpresat e shoqërisë civile.
Uniteti i rrymave të ndryshme është pikërisht ai që e bëri opozitën prej vitesh tepër të dobët për të kundërshtuar me të vërtetë regjimin e Hugo Chavez-it dhe të pasuesit të tij, Maduro. Fitorja e MUD-it në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015 ishte një pikë kulmore, por as kjo nuk mundi ta shkrinte në një të vetme këtë konglomerat të përbërë prej partish socialiste, liberale dhe konservatore.

Pa ushtri një rrezik i madh
2018-a ishte një vit shkatërrues për opozitën në Venezuelë. Ishte viti kur aleanca e opozitës MUD u atomizua”, thotë politologu kilian, Fernando Mires, profesor i dalë në pension në Universitetin e Oldenburgut, në një intervistë me DW.
Mires kujton se në fjalimet e para si kryetar i parlamentit Guaidó ishte i pavendosur, sepse nuk donte që t’i bënte armike partitë e opozitës. “Dhe papritmas Guaidó zgjedh këtë aventurë të rrezikshme dhe e shpall veten president të përkohshëm,” çuditet Mires.
Në këtë 23 janar, thotë Mires, ishte bërë e qartë se për cilin krah të opozitës, kishte vendosur Guaidó: për krahun radikal. “Duke shpallur veten si president të përkohshëm, ai u përkul para presionit të partisë së vet, që kërkonte një qëndrim më pa kompromis kundrejt presidentit Maduro dhe presionit të Uashingtonit që e njohu atë menjëherë si presidentin legjitim të Venezuelës që para se të betohej. Politologu mendon se situata mund të përshkallëzohet.
“Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë tani. Nëse Guaidó ka pas vetes disa pjesë të ushtrisë dhe atëherë ai ka vepruar drejt. Por nëse jo, atëherë hapi i tij ishte i papërgjegjshëm, meqë mund të sjellë një valë dhune në Venezuelë.
Kosova dhe Shqipëria ishin ndër vendet e para në Evropë që e njohën e presidentin e vetëzgjedhur.
Fraksion.com