AktualitetBota+Të fundit

Guaido po konsideron mundësinë e amnistimit të Maduros

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido, ka thënë se ai do të konsiderojë amnisti për presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro, nëse ky i fundit lë pushtetin.

Guado, që ka shpallur veten president të përkohshëm të Venezuelës ditën e mërkurë, ka thënë se ai është duke synuar të arrijë te të gjithë sektorët, duke përfshirë ushtrinë, për t’i dhënë fund krizës.

Guado dhe aleatët e tij akuzojnë Maduron për fitore të pushtetit përmes një procesi zgjedhor mashtrues.

“Sfida jonë është që të sigurojmë zgjedhje të reja dhe i duam ato sa më shpejt që është e mundur. Mirëpo ne jemi duke jetuar në diktaturë”, ka thënë Guaido për televizionin Univision.

Më parë ai është deklaruar për këtë çështje edhe për Financial Times duke thënë se “askush nuk dëshiron të jetojë kështu. Pavarësisht politikës, njerëzit jetojnë pesë apo gjashtë muaj pa ujë në shtëpitë e tyre, pa ilaçe, pa të holla të mjaftueshme për të blerë ushqim”.

Duke diskutuar mundësinë e amnistisë për Maduron, Guaido ka thënë se një hap i ngjashëm ka pasur rol në tranzicionin demokratik të Kilit.

“Këto amnisti janë në tavolinë për të gjithë ata që janë të gatshëm për të rikthyer rregullin kushtetues”, ka thënë ai.

Ai është zotuar për të mbajtur zgjedhje të reja “në mënyrë që të tejkalohet kriza”.

Ai ka thënë më parë se disa pika të Kushtetutës i lejojmë atij që të ketë pushtet përkohësisht sepse procesi zgjedhor është mashtrues.

Protestat kundër Maduros kanë nisur të mërkurën në Venezuelë, ku  në njërën prej protestave në Karakas, Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm.​

Fraksion.com