AktualitetRajoniTë fundit

Ditë historike për marrëdheniet Greqi – Maqedoni: Parlamenti grek miraton “Marrëveshjen e Prespës”

Parlamenti i Greqisë ka votuar Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Seanca maratonë që nisi ditën e djeshme, zgjati plot 38 orë dhe folën 200 deputetë.

Marrëveshja e Prespës u ratifikua në Parlamentin grek me 153 vota pro, duke përfshirë 145 votat e partisë së Kryeministrit dhe votat e 8 deputetëve opozitarë.

Kundër kësaj marrëveshje votuan 146 deputetë. Për disa minuta votimi u pezullua për shkak të deputetit të “Agimit të Artë”, Kostas Barbarousis, i cili bërtiti në Parlament “Jo për tradhëti” dhe më pas u largua.

Kryetari i Parlamentit e ftoi deputetin e “Agimit të Artë” që të votonte përsëri pasi nuk mund të regjistrohet asnjë votë “jo për tradhëti”. Kostas Barbarousis ishte larguar tashmë nga salla dhe vota e tij kundër u konsiderua e pavlefshme. Ndërsa kreu i “Demokracisë së Re”, Mitsotakis, i cili është kundër marrëveshjes, paralajmëroi se nëse opozita fiton zgjedhjet e këtij viti, mund të vendosë veto për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Para se të përfundonte seanca plenare, të gjithë deputetët e opozitës u larguan nga salla, ku mbeti vetëm partia “SYRIZA” e Alexis Tsipras, e cila festoi këtë fitore politike.

Kjo marrëveshje është ratifikuar para disa javësh edhe nga Parlamenti i Maqedonisë. Sipas Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia do të quhet “Republika e Maqedonisë së Veriut”, duke i dhënë zgjidhje kështu konfliktit disa vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit. Nga ana tjetër, Greqia është zotuar që do të heqë veton ndaj Maqedonisë për anëtarësimin e saj në NATO.

 

Fraksion.com