AktualitetPolitikëTë fundit

Çlirim Gjata: Donika Prela bleu apartament te njeriu që kishte nën hetim

Sekretari i ri për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se drejtuesja e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela duhet shkarkuar nga komisioni i vetingut.

“Ne kemi këtu dosjen e zonjës Prela me shkeljet që ajo ka bërë, dosje e cila ndodhet në veting, pra ndodhet në KPK. Kemi disa raste, të cilat duhen hetuar me shumë seriozitet që të mbahet i njëjti standard si në rastet e tjera, që Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, të Vetingut, të mos bjerë në atë që quhet standard i dyfishtë. Duke filluar me rastin e parë, me një apartament që zonja Prela e ka blerë në “Rrugën Tefta Tashko Koço”, tek një kompani të quajtur Lim-Em, administrator i së cilës është në ndjekje penale, është nën hetim po nga Krimet e Rënda. Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament, është në marrëdhënie kontraktore me një kompani, administratori i së cilës është nën hetim nga Prokuroria që ajo drejton,” tha Gjata.

“Tjetër moment. Çmimi është shumë më i lirë se sa i tregut, është nga 300 deri në 500 euro më i lirë se çmimi i tregut për metër katror, dhe kjo del nga vetë thirrjet që kjo kompani ka bërë për shitjen e apartamenteve të pallatit të ndërtuar nga kjo, ku të gjitha çmimet shkojnë minimumi nga 250 deri në 500 euro më shtrenjtë për metër katror se ç’e ka blerë apartamentin zonja Prela. Atëherë përse ky preferencim, përse kjo ulje e çmimit pikërisht për këtë Prokurore, e ndodhur në këto kushte?”.

Gjata tha se në zyrat e vetingut ka edhe të tjera raste për Prelën.

“Blerja e apartamentit në Durrës për 1 milionë lek të reja, shitet për 4 milion lek të reja. Apo blerje trojesh, apartamentesh, pronash, më lirë, apo shitje më shtrenjtë, apo shumë më shtrenjtë se ç’është çmimi i tregut. A hetohet këtu për pastrim parash? Apo për fiktivitet, apo për kontrata fiktive? E ka detyrim organi i vetingut ta bëjë këtë. Por ajo që është më e rëndësishme është procesi gjyqësor që bashkëshorti i zonjës Prela ka hapur me kompaninë ku ka punuar, për mospagim taksash. Megjithëse për vite me radhë ka përfituar të ardhura dhe s’ka paguar taksa, kujtohet tani, pikërisht, pasi është futur nën proces verifikimi zonja Prela, bashkëshorti i saj ka hapur një proces gjyqësor kundër kompanisë përkatëse, kundër kompanisë “Bruci”, tek e cila ka punuar, deri në mars 2018.

Dhe këtë padi e ka hapur pas 7 vitesh. Kodi civil nuk ta jep këtë mundësi që të hapësh një padi të tillë për dëshpërblim, për pagesë taksash apo sigurimeve pas 7 viteve, pasi është e parashkruar. E drejta e kësaj padie është e parashkruar. Nuk e ditkërka zonja në fjalë si juriste, që bashkëshorti nuk mund të hapë një padi pas shtatë vitesh?”

 

Fraksion.com