Trump do ta shtyjë fjalimin për gjendjen e vendit
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e tërhoqi ftesën drejtuar Presidentit që ai të mbante fjalimin për gjendjen e vendit më 29 janar, për shkam se qeveria vazhdon të jetë pjesësisht e mbyllur.
Demokratja nga Kalifornia i shkruante zotit Trump të mërkurën se Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët nuk do të miratonte rezolutën e kërkuar që lejon presidentin të mbajë fjalimin tradicional përpara Kongresit.
Zonja Pelosi e ndërmori këtë hap vetëm pak orë pasi Presidenti Trump e njoftoi se kishte në plan ta mbante fjalimin të martën më 29 janar, në përputhje me ftesën e saj të mëparshme.
Letra e zonjës Pelosit e detyroi Shtëpinë e Bardhë të përpiqej për të hartuar një plan alternativ për fjalimin, i cili është një nga mundësitë më të mëdha që tradicionalisht i jepet presidentit për të paraqitur programin e tij përpara publikut.
Por të mërkurën mbrëma Presidenti tha se do ta shtynte fjalimin dhe do ta mbante pasi të ketë përfunduar mbyllja e qeverisë, e cila po hyn në muajin e dytë dhe është më e gjata në histori.
Mosmarrëveshja që ka çuar në mbylljen e pjesshme të qeverisë lidhet me financimin e një muri kufitar me Meksikën, për të cilin demokratët që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve nuk janë dakord,
Zonja Pelosi shkruante: “Mezi pres që t’ju mirëpres në Dhomën e Përfaqësuesve në një datë të vendosur bashkërisht për këtë fjalim kur qeveria të jetë hapur.”
Presidenti Trump tha nga ana e tij se demokratët janë “radikalizuar” dhe “nuk duan të shohin ndalimin e krimit, që ne mund ta bëjmë shumë lehtë në kufirin jugor”. Ai ia hodhi fajin atyre që i quajti “demokratë super të majtë”.
Presdenti Trump u pyet për letrën e zonjës Pelosi gjatë një takimi për kujdesin shëndetësor në Shtëpinë e Bardhë. Ai u pyet gjithashtu për mbylljen e qeverisë që po hyn në muajin e dytë.
Presidenti tha: “Kjo do të vazhdojë për një kohë. Në fund të fundit, populli amerikan do ta gjejë zgjidhjen, sepse ai nuk dëshiron të shohë krime (nga njerëzit që hyjnë në kufi)./VOA
Fraksion.com