AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Rruga Tiranë-Elbasan e kalueshme këtë pranverë

Rruga Tiranë- Elbasan së shpejti do të jetë në funksion të plotë për qytetarët.

Punimet teknike janë drejt fundit dhe në mars, rruga do të bëhet e aksesueshme në një pjesë të saj, për të vijuar më pas me vënien në funksion të plotë.

Gjatë inspektimit të punimeve kryeministri Rama u shpreh se kostoja e dyfishtë për rindërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan është rezultat i papërgjegjshmërisë në hartimin e projektit të mëparshëm.

“Kjo rrugë u bë realisht gangrenë. U nis pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie, vetëm hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale e punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa, dhe e paguan shumë shtrenjtë. Praktikisht ka shkuar dyfish nga vetëm marrëzia dhe babëzia e paimagjinueshme”,tha Kryeministri.

Drejtuesi i punimeve është shprehur se aktualisht po punohet për trajtimin e rrëshqitjes ndërsa po bëhen mbrojtëset e skarpatës, tubat e drenazhit, veprat e artit dhe muret mbajtës.

Gjithashtu, po punohet edhe për stabilizantin dhe të gjithë pjesa hidraulike e projektit me kanalet anësore. Sipas tij, kjo ka qenë një nga zonat më problematike të projektit dhe ka patur një kosto 9.6 milionë dollarë. Realizmi i saj është 93%. Duhen edhe 800 mijë dollarë dhe kjo të kompletohet.

Ndërkohë sot kryeministri Rama, nërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka përcjellë pamjet nga kantieri i punimeve për ndërtimin e kësaj rruge.

“MIRËMËNGJES 😀

dhe me pamjet nga kantieri i punimeve për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, e cila do të përfundojë e do të jetë plotësisht e kalueshme këtë pranverë, ju uroj një ditë të mbarë👍'”, shkruan Rama.