AktualitetOp-EdTë fundit

PD-ja e re, Urime Rama!

 

Nga Julian Zyla

 

Ky artikull nuk ka të bëjë me njerëzit e rinj në kryesinë e PD-së. Ky artikull nuk ka të bëjë me njerëzit e rinj në Këshillin Kombëtar të PD-së. Ky artikull ka të bëjë me veprimet e vjetra që PD-ja “e re” propozon. Urime Edi Rama!

Me individët që presin nga veprime të njëjta rezultate të ndryshme merren zakonisht psikologët ose filozofët. Ndërsa unë do ta shoh fenomenin Basha nën lenten e komunikimit.

Nëse lentja e komunikimit do të ishte zmadhuese, duhet hequr menjëherë para se të verbohesh nga përmasat gjigante të elementit të parë që bie në sy. Përveç mungesës së krijimtarisë për mënyra të reja qasjeje ndaj elektoratit, Partia Demokratike e ristrukturuar në pjatën e protestës guxon të riservirë recetën e ftohur: “Do të rrëzojmë qeverinë Rama!”.

Ka një metodë në përgatitjen e fushatave elektorale. Pjesa e parë zihet tërësisht nga kërkimi ose hulumtimi i opinionit të elektoratit. Ky proces synon, mbi të gjitha, të njohë problemet apo çështjet kryesore të njerëzve të një vendi: Nëse PD mendon se halli kryesor i shqiptarëve është emri i Kryeministrit, ose nuk di të hulumtojë, ose nuk di si të përdorë informacionin. Ajo që përcillet te njerëzit është që PD-ja nuk di të kuptojë.

Nxitimi drejt rezultatit “Rrëzimi i Ramës” duke e kthyer në mënyrë absurde edhe në mjet të arritjes së vetvetes është elementi i parë i vjetër i PD-së së re: Urime Rama!

Së dyti (ky artikull përqendrohet te protesta sepse idetë e tjera “ekstreme” do të ishin edhe më të dëmshme për PD): Shohim se opozita e re e Bashës vë një bast të ligjshëm te aftësitë e elementëve të rinj në parti. Natyrisht, ata mund të kenë potencial politik dhe aftësi organizative. Ata, me sinergjinë mes tyre, së resë dhe kreditit personal mund të arrijnë deri në një organizim shumë të mirë të një proteste. Por sa kohë do të rrinë protestuesit pas një Partie që kërkon të rikthehet në pushtet?

Ndoshta psikologët mund të vërejnë mes arsyeve që Basha i rikthehet protestës faktin që çadra solli diçka. Gjithashtu, studentët restauruan idenë e protestës si një mjet demokratik. Por, PD-ja e re duhet të jetë e ndërgjegjshme se protesta mund të kthehet në rastin më të mirë në një kopje të çadrës së vet. Gjithashtu, nuk do të jetë si protesta e studentëve por e njëkohshme me protestën e studentëve.

Organizimi i protestave nga Basha është një inerci nga Berisha. Por edhe nga opozita e Ramës dhe nga objektivi i vendosur i rrëzimit të qeverisë para kohe. A janë mënyrat e vetme ballkanike apo mesdhetare mënyrat e vetme të të bërit opozitë? A janë ato të efektshme? A do të arrijë të frymëzojë Basha, këtë herë deri në rrëzimin e qeverisë? Nëse nuk ia del mbanë, a do ta ndihmojë apo pengojë kjo përpjekje në zgjedhjet e ardhshme? Partia Demokratike duket se i ka gati përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve. I urojmë fat…

Partia Demokratike mendon se njerëzit duhet të jenë në rrugë për të dëgjuar se çfarë do të thotë Basha. Partia Demokratike mendon se i duhet të ngarkojë veten me realizimin e diçkaje që i ka rezultuar jo fort e lehtë kohët e fundit… Partia Demokratike mendon se duhen njerëz në rrugë që ta dëgjojnë në televizor. A do të mbizotërojë protesta apo do të pranojmë në Shqipëri sundimin e shumicës së heshtur që më shumë dëgjon sesa bërtet? Optimizmi i PD-së kundrejt këtyre pyetjeve retorike është absurdi i dytë i vjetër i PD-së së re: Urime…!

Së treti, përveç mesazhit të ftohur “Do të rrëzojmë Ramën”, përcillet edhe një mesazh ndaj njerëzve ku njoftohet: kemi vendosur të ndryshojmë emrat, por jo muzikën. Njerëzit dëgjuan emrat e rinj të cilët po dalin në skenë, në kor, me një tjetër cover të së njëjtë këngë të mësuar përmendësh, por që nuk e ka çuar z. Basha në Eurovision. A do të intonohet më mirë këtë herë?

Nëse Eurovisioni nuk vjen sërish, por vetëm shtohet numri i interpretimeve të cilat tentojnë sukses, kori do të shënojë një disfatë që nuk mbledh kredit drejt zgjedhjeve së ardhshme. Do të jenë përvoja që do ta bëjnë karrierën e tyre “artistike” lehtësisht të përdorshme kundër tyre.

Duket sikur PD-ja është e vendosur më në fund! Jemi këtu me njerëz të tjerë për të bërë të njëjtat gjëra. Por a jemi ne të sigurt që janë të njëjtat gjëra? Le të shohim me vëmendje… Si mund të jetë e njëjta gjë kur protestën po e njofton Gazment Bardhi?! Këtij i thonë ndryshim.

Bardhi me siguri do të mbajë edhe një fjalim të rëndësishëm gjatë protestës. Por sa gjëra prej atyre nuk janë thënë më parë? Sa gjëra prej tyre nuk janë thënë më parë në një protestë? Kryesia e re në vendimin e saj të parë shpalli atë që kishin kuptuar të gjithë: që PD nuk ka ndryshuar. Përveç këngëtarëve, DJ-ve dhe hierarkisë së korit, muzika dhe instrumentet e marra me qira janë absolutisht të njëjtat.

Ky artikull nuk kishte të bënte me njerëzit e rinj në kryesinë e PD-së. Ky artikull nuk kishte të bënte me njerëzit e rinj në Këshillin Kombëtar të PD-së. Por, mesazhi kryesor i njëjtë, gjasat që njerëzit nuk do mund ta ndjekin më të shumtë në numër se më parë Partinë Demokratike dhe përcjellja e munguar e ndryshimit nëpërmjet ndryshimeve të reja, do t’i bëjnë sipërmarrjet e PD-së të kenë nevojë për shumë fat. Mbi të gjitha për shumë ndryshim. Deri atëherë, Urime Rama!

Fraksion.com