AktualitetTë fundit

Laboratori i heroinës në Has, gjendet i vdekur turku në kërkim

Nejdet Cesuroglu alias Lavdërim Limani, në kërkim nga policia shqiptare për laboratorin e heroinës në Has është gjetur i vdekur në Prishtinë. Siç raporton News24, Cesuroglu u gjet i pajetë në një banesë në Prishtinë më 2 dhjetor 2018.

Gjithashtu, në banesën fshihej Cesuroglu, është gjetur edhe një sasi heroine.

Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka nën hetim çështjen e laboratorit në Has, i ka dërguar një letër-porosi autoriteteve ligjzbatiese të Kosovës, lidhur me ngjarjen në Prishtinë.

Hetimet 

Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda renditen të gjitha veprimet hetimore, përgjime telefonike e ambientale, gjatë të cilave dalin në skenë emrat e të gjithë personave të përfshirë në organizimin e laboratorit të drogës. Sipas veprimeve hetimore, ideatori i ndërtimit të një objekti të tillë për përpunimin, jo vetëm të heroinës, por edhe të kokainës, është një biznesmen nga Tirana, pronar i një hotelit, në afërsi të Aeroportit të Rinasit. Nga të dhënat e siguruara nga dosja e Prokurorisë, biznesmeni Admir Hoxha është njeriu që ka udhëhequr ngritjen e këtij laboratori në bashkëpunim me disa anëtarë të arrestuar të grupit kriminal nga Shijaku.

Sipas Prokurorisë, Admir Hoxha ka mbajtur kontakte me shtetasit Hekuran Hoxha, i arrestuar disa ditë më parë dhe Saimir Gjepali nga Shijaku, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Policia ka arrestuar 6 persona për laboratorin e heroinës në Has, dy prej të cilëve u liruan nga Gjykata, që dyshohet se ishin punonjës. Ndërkohë, në kërkim u shpallën dy shtetas turq. Bëhet fjalë për Iskënder Sale, 35 vjeç, dhe Nejdet Cesuroglu, 49 vjeç, i cili u gjet i pajetë muajin e shkuar. Këta shtetas janë të akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, trafikim narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal. Sipas Prokurorisë, ata janë pritur nga Admir Hoxha në hotelin e tij pranë Rinasit, së bashku me shtetasin kosovar, Xhemal Shala.

Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Sajmir Gjepali dhe shtetasi Hekuran Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has.

Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy shtetasit turq Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë. Admir Hoxha, nga vëzhgimet në terren rezulton se është personi që kishte përgatitur ambientin e kthyer në laborator për prodhimin e lëndës narkotike në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar.

Nga provat e mbledhura në laborator, krahas lëndës së parë ka rezultuar se ishte prodhuar 182.5 kg drogë. Prokuroria mbërrin në përfundim se, të dhënat e përftuara deri më tani tregojnë se lëndët dhe sendet materiale të sekuestruara shërbenin për prodhimin e lëndëve narkotike si ajo e heroinës.

Sipas Prokurorisë, Xhemal Shala, Admir Hoxha dhe dy shtetasit turq, në bashkëpunim mes tyre në formën e një grupi të strukturuar kriminal janë përfshirë në prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Admir Hoxha dhe bashkëpunëtorët e me shtetësi jo shqiptare vijojnë te jenë në kërkim nga Policia.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Admir Hoxha rezulton të jetë pronar i një hoteli në Rinas. Ky biznes rezulton të jetë regjistruar në vitin 2011, por më 2 tetor të këtij viti mban statusin “i pezulluar”. Sipas dosjes së Prokurorisë, këta persona janë mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e Policisë Gjyqësore, që po merreshin me hetimin e çështjes.

 

Fraksion.com