AktualitetTë fundit

Ja personat që iu sekuestruan 5.2 milionë euro në Lezhë

Rreth 5.2 milionë euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme (7 apartamente)  i janë sekuestruar dy personave në Lezhë, pasi këto para dyshohet se janë të përfituara nga veprimtari kriminale.

Mësohet se llogaritë bankare dhe apartamente janë në pronësi të  83-vjeçarit Pjetër Vocit dhe 50-vjeçares Shqipe Palaj.

Sekuestrimi i pasurisë u bë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, ndërsa hetimet u bënë nga Policia e Lezhës e cila më pas i ka referuar ato në Prokurori.

Mbi dy personat që posedojnë këtë pasuri rëndon akuza “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Njoftimi i Policisë

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, sekuestrohen rreth 5.2 mln euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale. Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar 2019. Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale rreth 5.2 milione Euro dhe 7 apartamente.

 

Fraksion.com