Gjermania kufizon shpejtësinë e makinave në rrugë?
Në Gjermani po debatohet për futjen e kufizimit të shpejtësisë në rrugë, por kjo çështje është shumë e kontestueshme. Nuk është hera e parë që hapet ky debat, i cili ka shumë argumente pro dhe kundër.
Një debat iracional në një Gjermani racionale? Po, sepse fakt është se makina konsiderohet prej kohësh në Gjermani si fëmija më i dashur, ndaj në 60% të autostradave në Gjermani nuk ka kufizime të shpejtësisë. “Vozitje e lirë për të gjithë qytetarët”, kërkonte ADAC në vitin 1974. Edhe sot 45 vjet më vonë shumëkush mendon se nuk duhet të ketë kufizime.
Vozitja e shpejtë për shumëkënd ka edhe arsyen e vet – shkuarjen e shpejtë nga një vend në vendin tjetër. Kjo jep edhe ndjenjën e lirisë dhe bindjen se pikërisht tek çështja më e dashur – lëvizja me makinë, nuk ke kufizime nga politika. Një lob i fuqishëm i përdoruesve dhe prodhuesve të makinave e ka pamundësuar deri tani marrjen e një vendimi për kufizimin e shpejtësisë.
Frenoni për të ruajtur mjedisin
Megjithatë sipas sugjerimeve më të fundit të një komisioni ekspertësh të ngarkuar nga qeveria federale, pikërisht kjo çështje duhet të debatohet sërish. Pikërisht në Gjermani, e cila njihet si vendi me industrinë më të zhvilluar të automjeteve dhe motorëve të fuqishëm.
Shkaku janë qëllimet për mbrojtjen e klimës të cilat i ka paraqitur vetë qeveria federale për periudhën deri në vitin 2030. Në këtë Komision janë edhe përfaqësuesit e IG Metall, ADAC, shoqatës së industrisë BDI, shoqatës së prodhuesve të automjeteve VDA, hekurudhave Deutsche Bahn, Volkswagenit si dhe shoqatat për ruajtjen e mjedisit Nabu dhe BUND.
Zyra Federale e Statistikave ka bërë të ditur se makinat kanë emetuar në vitin 2017 rreth 115 milionë tonelata dioksid karboni(CO2). Krahasuar me vitin 2016, ky është një plus prej 6 përqind. Kur dihet se gjatë viteve të kaluara është rritur niveli i çlirimit të CO2 në ajër, ekspertët thonë se kufizimi i shpejtësisë në më së shumti 130 km/h, mund të jetë një zgjidhje e mirë.
Lobi kundër kufizimit
Ministri për Komunikacion Andreas Scheuer (CSU) e quan këtë propozim për kufizimin e shpejtësisë dhe përdorimin e makinave me naftë si një propozim “në kundërshtim me çdo arsye”. Disa anëtarë të Komisionit po përpiqen të realizojnë agjendën e tyre, thotë ai. Këtu mendohet tek shoqatat për ruajtjen e mjedisit.
ADAC dyshon se kufizimi i shpejtësisë vërtet mund të ndikojë në ruajtjen e mjedisit. “Efekti është i vogël”, thotë Ulrich Klaus Becker, zv/drejtor i ADAC. Një vendim i tillë madje mund të dëmtojë lëvizjen e shpejtë në rrugë dhe mund të shkaktojë kaos. Kufizimet, sipas tij, nuk mund të ndikojnë pozitivisht as për evitimin e fatkeqësive, sepse të dhënat e fundit dëshmojnë se fatkeqësitë janë më të shpeshta në vendet fqinje ku ka kufizime të shpejtësisë. Ndërsa shoqata e prodhuesve të makinave VDA mendon se ka dhe mjete të tjera më të mira për ruajtjen e mjedisit. Një prej tyre do të ishte digjitalizimi i trafikut në rrugë.
Kundërshtarët e kufizimeve thonë se lëvizja në autostrada nuk është aq e rrezikshme sa mendohet. Gjatë vitit 2017 makinat kanë qarkulluar rreth 1/3 e kohës në autostrada. Por vetëm 12,9 e fatkeqësive me raste tragjike të vdekjes kanë ndodhur në autostrada. Rreth gjysma prej tyre kanë vdekur për shkak se nuk kanë respektuar rregullat.
Siguria
Sindikatat e policisë thonë se limitimi i shpejtësisë është i arsyeshëm – pikërisht për faktin se kanë ndodhur kaq pak fatkeqësi Michael Mertens thotë: “Nëse nuk jemi dakord që çdo vit në rrugë të vdesin rreth 3.200 njerëz, atëherë duhet të ndërmarrim masa. Sa më shpejt lëvizin makinat, aq më tragjike janë pasojat në ndonjë fatkeqësi. Por sindikata këtu më shumë mendon për rrugët vendore, ku ndodhin më shumë fatkeqësi, e jo në autostrada.
Debatet po vazhdojnë edhe në Ministrinë e Komunikacionit. Një takim i parashikuar për ditën e mërkurë (23.01) është shtyrë. Kur do të mbahet takimi nuk dihet./DW
Fraksion.com