SHBA: Jep dorëheqjen kryediplomati për Europën
Diplomati më i lartë për Evropën në Departamentin Amerikan të Shtetit, Wess Mitchell, ka vendosur të japë dorëheqjen, një tjetër largim ky në administratën e Trumpit që paraqitet me bujë të madhe nga mediat ndërkombëtare.
Dita e tij e fundit si Ndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike do të jetë 15 shkurti. 41-vjeçari përmend arsye personale dhe profesionale në letrën e tij të largimit, që vjen në një kohë kur marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Europën janë në nivelin e tyre më të ulët prej dekadash të tëra; tensionet mes dy palëve janë përshkallëzuar nga mosmarrëveshjet për tregtinë, shpenzimet e mbrojtjes dhe tërheqja e Amerikës nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Shefi i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo mbajti një fjalim në Bruksel në dhjetor, ku hodhi dyshime mbi vlerën e institucioneve shumëpalëshe si BE-ja apo organizatat ndërkombëtare të favorizuara nga Europa, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Komentet e tij e nxorën edhe më shumë në pah hendekun në rritje mes administratës së Trumpit dhe aleatëve të saj europianë, e madje nxitën edhe deklaratën e zëdhënësit të Komisionit Europian, sipas të cilit Pompeo nuk e ka kuptuar mirë sesi funksionojnë institucionet e BE-së.
Mitchell shkruan në letrën e dorëheqjes se “ndërsa administrata bëri vitin e saj të dytë”, ai ndien se e “përmbushi objektivin e vënë vetes pas marrjes së postit”, duke përmendur zhvillimin e një strategjie për Europën si dhe ndihmën për Pompeon, i cili pasoi në detyrë ish-sekretarin Rex Tillerson, i cili u shkarkua marsin e vitit 2018. Shtatorin e vitit 2017, Mitchell u bë i pari ndihmëssekretar i shtetit në administratën Trump i konfirmuar nga Senati dhe do të jetë i emëruari i parë i Trumpit në këtë post që vendos të largohet.
Fraksion.com